26 Gusht, 2025 - 6:35 pm
Më 27 gusht 2025, ora 21:00, në Rr. Henrik Bariç 23, Prishtinë, do të prezantohet etapa franceze e Programit Ndërkombëtar të MoMA-s.
Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Muzeu i Artit Amerikan në Prishtinë ftojnë publiku në një ngjarje unike që ndërthur filma, lexime dhe diskutime mbi historinë dhe ndikimin e artit modern amerikan në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Fokus i këtij eventi është etapa franceze e Programit Ndërkombëtar të Ekspozitave Qarkulluese të MoMA-s, i nisur në vitin 1952, që solli ekspozita të artit modern amerikan në mbarë kontinentin. Artistë si Mark Rothko, Georgia O’Keeffe dhe Jackson Pollock u prezantuan në qytete kryesore si Paris, Zürich, Barcelonë, Frankfurt, Londër, Hagë, Vjenë dhe Beograd, duke formësuar skenën globale të artit.
Gjatë mbrëmjes do të shfaqet filmi “Expositions de Paris — Musée d’Art Moderne, 50 ans d’art aux États-Unis” (1955), me koment nga Fabienne Forgue dhe imazhe nga Georges Leclerc, në regji të Jean-Paul Sassy (Arkiva INA). Pas shfaqjes do të ketë një prezantim të kontekstit historik dhe diskutim mbi fazën franceze të turneut të MoMA-s dhe ndikimin e tij në Paris dhe më gjerë.
Ngjarja sjell në vëmendje marrëdhënien historike mes koleksionistëve dhe kuratorëve amerikanë me artin modern francez dhe evropian, duke u nisur nga Saloni i Gertrude dhe Leo Stein në vitin 1905, që ndikoi në vizionin institucional të MoMA-s dhe u bë bazë e rrjetit të ideve dhe artistëve modernë amerikanë.
Ky event ofron një mundësi të veçantë për artistë, studiues, kuratorë dhe dashamirës të artit për të reflektuar mbi trashëgiminë e artit modern amerikan dhe ndikimin e tij global, ndërthurur me diplomacinë kulturore dhe historinë e ekspozitave ndërkombëtare./KultPlus.com