26 Gusht, 2025 - 6:59 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës ka mirëpritur zhvillimet e fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se ky hap po shënon një zhbllokim të situatës institucionale në vend.
Ajo ka uruar punë të mbarë dhe në interes të Kosovës kryetarit të ri të Kuvendit, Dimal Basha, si dhe nënkryetarëve të zgjedhur: Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilija Redžepi, përcjellë KultPlus.
Në reagimin e saj, Presidentja theksoi se pret që ky proces të përmbyllet sa më shpejt dhe në përputhje me Kushtetutën e vendit. Ajo shtoi gjithashtu se pret që Kuvendi të procedojë me votimin e Qeverisë së re, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, duke respektuar vullnetin e qytetarëve.
Ky zhvillim vjen pas javësh diskutimesh dhe bllokadash politike rreth konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja. Me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, pritet që hapat e radhës të përqendrohen në formimin e Qeverisë së re, si një proces i domosdoshëm për ecjen përpara të vendit./KultPlus.com