PriFest prezanton jurinë për kategorinë e filmave të metrazhit të mesëm

28 Gusht, 2025 - 11:29 am

PriFest, festivali i filmit në Prishtinë, po përgatitet të presë edicionin e 17-të, që do të zhvillohet nga 9 deri më 14 shtator. Një nga kategoritë më unike dhe të veçanta të këtij festivali është ajo e filmave të metrazhit të mesëm, ku veçohen produksionet që kanë gjatësi mes të shkurtër dhe të gjatë, duke krijuar një hapësirë të veçantë artistike dhe inovative.

Në një postim në rrjetet sociale, faqja zyrtare e PriFest, publikoi emrat e antarëve të jurisë:

Eralda L. Lameborshi, profesoreshë e letërsisë botërore në East Texas A&M University dhe studiuese e letërsisë dhe kinemasë botërore, me fokus të veçantë në kinemanë e Evropës Lindore. Punimet e saj akademike në fushën e studimeve filmike dhe letërsisë janë botuar në revista të njohura si World Literature Today, Continuum dhe Signs: Journal of Women in Culture and Society. Aktualisht është studente Fulbright në Kosovë (2024–2025), ku kryen kërkime mbi kinemanë kosovare dhe rëndësinë e saj kulturore. Ka fituar gjithashtu bursa prestigjioze si Global Human Rights Fellowship dhe Hagler Institute for Advanced Study Fellowship. Përmes punës së saj akademike ajo promovon dialogun ndërkulturor përmes filmit, duke lidhur shprehjen artistike me audiencën ndërkombëtare dhe komunitetet e diasporës. Perspektiva e saj ndërthur qasjen akademike me një vlerësim të thellë për kinemanë si mjet të fuqishëm për dialog dhe përfaqësim kulturor.

Ivan Đurović, i lindur më 16 dhjetor 1974 në Titograd. Ka diplomuar në Fakultetin e Arteve Dramatike në Cetinë, në degën e prodhimit televiziv. Që nga viti 2001 punon si producent, themelues dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë prodhuese “Artikulacija Film”. Ka qenë producent i mbi tridhjetë filmave artistikë, dokumentarë dhe të shkurtër, si dhe serialeve televizive. Ka marrë pjesë në prodhimin e shumë reklamave me buxhet të lartë për marka të njohura botërore, si dhe në projekte televizive ndërkombëtare të transmetuara në kanalet më prestigjioze globale. Është themelues i Montenegro Film Forum dhe presidenti i parë i PDM (Prodhuesit dhe Regjisorët e Malit të Zi). Një nga figurat kyçe në themelimin e kinematografisë së re malazeze, me angazhim të vazhdueshëm në zhvillimin e saj. Është gjithashtu një nga bashkautorët e Ligjit për Kinematografinë në Mal të Zi.

Anëtar i European Film Academy dhe pjesmarrës në programin Producers on the Move në Festivalin e Cannes. Është përfshirë në BBC Professional Guide për kontributin e tij në prodhimin malazez dhe shërbimet prodhuese. Filmat ku ka punuar janë shfaqur në mbarë botën dhe kanë fituar shumë çmime. Filmi i tij më i fundit “Otter”, pati premierën botërore në Sarajevo Film Festival 2025.

Blerina Hankollari, ka studiuar filozofi evropiane dhe është aktive në industrinë e filmit që prej vitit 2012. Ajo ka punuar si konsulente kreative në dokumentarin “S’është lavazh “(2012) të regjisorit Gentian Koçi, i cili pati premierën botërore në Hot Docs dhe ka prodhuar filmat artistikë “Dita zë fill” (2017) dhe “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” (2022). Të dy titujt morën vlerësime ndërkombëtare dhe çmime të shumta në festivale, si dhe u përzgjodhën si kandidaturat zyrtare të Shqipërisë për Çmimet Oscars, respektivisht, në vitet 2018 dhe 2023. Ajo u përzgjodh ndër njëzet producentët në ngjitje të Evropës, për të marrë pjesë në programin Producers on the Move nga European Film Promotion gjatë Festivalit të Kanës 2025, si dhe në EAVE Producers Workshop 2025. Nga viti 2015 deri në vitin 2023, Blerina Hankollari ka punuar si studiuese në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit në Tiranë, duke thelluar paralelisht angazhimin e saj me teoritë kulturore dhe prodhimin kinematografik.

PriFest 2025 do të mbahet nga 9 deri më 14 shtator në Kino Armata, në Prishtinë, duke ofruar një platformë të veçantë për filma të metrazhit të mesëm dhe një mundësi unike për publikun dhe profesionistët që të njohin dhe vlerësojnë krijimtarinë e re filmike në rajon./KultPlus.com

Të ngjajshme