28 Gusht, 2025 - 3:30 pm
Nga bashkëpunimi mes mjeshtrit të horrorit Stephen King dhe ilustratorit legjendar të letërsisë për fëmijë Maurice Sendak, lind një version i ri i përrallës klasike “Hansel dhe Gretel”, që përçon frikë, ankth dhe reflektim të thellë, jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë lexuesit, sidomos ata që kujtojnë çfarë do të thotë të jesh i vogël dhe i pambrojtur.
Libri, një botim elegant dhe i hollë me shkronja të mëdha dhe ilustrime të fuqishme, ngjan me një libër për fëmijë në pamje të parë. Por nuk duhet të gabojmë: kjo është një histori tmerri, e ndërtuar me mjeshtëri nga King, i cili zhbiron thellë në dimensionin psikologjik të frikës dhe traumës së fëmijërisë, dhe Sendak, i njohur për mënyrën e tij të ndërlikuar dhe shpesh të errët të trajtimit të botës fëminore.
Përralla nis me formulën klasike “Na ishte një herë…”, duke krijuar ndjesinë e një bote të largët dhe të sigurt, por kjo ndjesi shpejt zhbëhet. Ajo që ndjek është një rrëfim i mbushur me humbje, rrezik dhe dy fëmijë të detyruar të përballen me brutalitetin e botës, të tradhtuar nga prindërit dhe të përndjekur nga një shtrigë që mishëron frikërat arketipale.
Ky ribotim i “Hansel dhe Gretel” ngre pyetjen thelbësore: për kë janë shkruar vërtet përrallat e vjetra? Edhe pse sot shpesh i konsiderojmë si pjesë të literaturës për fëmijë, përrallat e Brothers Grimm, të mbledhura në fund të shekullit XVIII gjatë një vale nacionalizmi gjerman, ishin shpesh të dhunshme, të errëta dhe të mbushura me mesazhe të zymta për jetën. Pas Luftës së Dytë Botërore, madje u ndaluan përkohësisht në Gjermani, pasi mendohej se kishin ndikuar në frymën nacionaliste që ushqeu ideologjinë naziste.
Në vend të pafajësisë, shumë prej këtyre tregimeve përshkruajnë humbjen e saj. Zgjidhjet që ofrojnë janë shpesh të përgjakshme dhe të kushtueshme. Vetë “Hansel dhe Gretel” është një histori mbijetese, mashtrimi, dhe triumfi të hidhur.
Stephen King, me mjeshtërinë e tij për të eksploruar frikën njerëzore, i jep kësaj përralle një thellësi të re dhe i rikujton lexuesit se tmerret më të mëdha shpesh ndodhin jo nëpër rrugica të errëta apo shtëpi të braktisura, por në zemër të familjes dhe fëmijërisë.
Ky libër është një rikujtim se përrallat, edhe në formën më të thjeshtë, mund të jenë pasqyrë e errësirës së brendshme dhe mjete për të përballuar atë që na tremb më shumë. Dhe ndoshta, siç sugjeron edhe vetë King, horror-i nuk është vetëm për të na frikësuar, por për të na treguar të vërtetat që nuk guxojmë t’i themi me zë./theobserver/KultPlus.com