‘Artefaktet e Kosovës të marra nga Serbia’ – Ekspozita ndërgjegjësuese kërkon kthimin e trashëgimisë kulturore

28 Gusht, 2025 - 2:30 pm

Pas Prizrenit dhe Gjakovës, ekspozita ndërgjegjësuese “Artefaktet e Kosovës të marra nga Serbia” ka mbërritur në Ferizaj, duke u hapur për publikun me qëllim sensibilizimin mbi një plagë të vjetër të trashëgimisë kulturore të vendit. Në këtë ekspozitë shpalosen fotografitë e dhjetëra artefakteve arkeologjike dhe historike, që ndodhen ende në Serbi, të marra gjatë kohës së luftës dhe që prej më shumë se njëzet vitesh nuk janë kthyer më në Kosovë.

Sipas të dhënave të dokumentuara nga organizata EC Ma Ndryshe, më shumë se 1,247 artefakte janë marrë nga Kosova dhe janë dërguar në Beograd, fillimisht për qëllime ekspozimi, por që nuk janë rikthyer kurrë në vendin prej nga janë marrë. Këto objekte përfaqësojnë një pasuri të çmuar të trashëgimisë kulturore, që përfshin objekte arkeologjike, artifakte etnografike, monedha të vjetra dhe elemente të tjerë të historisë së lashtë dhe moderne të Kosovës, transmeton KultPlus.

Përmes fotografive dhe kartolinave me imazhe dhe mesazhe për kthimin e artefakteve, ekspozita sjell në kujtesë një realitet që për shumëkënd mund të jetë i panjohur: që kultura materiale e Kosovës vazhdon të mbetet jashtë kufijve të saj, pa një afat për kthim dhe pa vullnet konkret politik nga Serbia për t’ia kthyer vendit atë që i takon.

Ky aktivitet është pjesë e një fushate më të gjerë për ndërgjegjësimin e publikut dhe institucioneve për nevojën imediate të kthimit të artefakteve në vendin e origjinës. Organizatorët theksojnë se këto objekte nuk janë vetëm pjesë e së kaluarës së Kosovës, por janë dëshmi e identitetit, trashëgimisë dhe historisë së saj, të cilat nuk duhet të qëndrojnë më si “peng i politikës”.

Përmes ekspozitës, EC Ma Ndryshe synon jo vetëm të informojë publikun, por edhe të rrisë presionin ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që kjo çështje të trajtohet seriozisht në tryezat diplomatike e kulturore.

Ekspozita në Ferizaj është vetëm një ndalesë në një turne të planifikuar në qytete të ndryshme të Kosovës, ku qytetarët do të kenë mundësi të shohin nga afër pasuritë që i mungojnë vendit dhe të bashkohen në kërkesën për kthimin e tyre. Ky aktivitet përbën një akt simbolik rezistence kulturore, duke refuzuar që harresa të mbulojë një padrejtësi që vazhdon për dekada.

Ekspozita “Artefaktet e Kosovës të marra nga Serbia” është një thirrje e qartë: trashëgimia kulturore nuk është vetëm histori, ajo është identitet, kujtesë dhe sovranitet. Dhe ashtu si çdo pjesë tjetër e historisë së një vendi, ajo duhet të kthehet aty ku i përket, në tokën e saj, në sytë e popullit të saj./KultPlus.com

Të ngjajshme