2 Shtator, 2025 - 2:10 pm
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë – PriFest, ka publikuar jurinë për kategorinë e filmave të shkurtër, e përbërë nga profesionistë të shquar të industrisë kinematografike nga rajoni dhe Austria.
Pjesë e jurisë do të jenë:
Salma Abdalla, me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në industrinë e filmit, Salma Abdalla aktualisht punon në Institutin e Filmit të Austrisë. Më parë ka qenë bashkëpronare dhe CEO e Autlook Filmsales, një agjenci ndërkombëtare me bazë në Vjenë. Përveçse producente ekzekutive dhe mentore, ajo ka shërbyer si anëtare jurie në shumë festivale prestigjioze dhe është një figurë kyçe në rrjetet evropiane të industrisë së filmit, si eksperte në EAVE Producers Lab dhe anëtare e European Film Academy.
Fatmir Koçi, regjisor dhe skenarist i njohur nga Shqipëria, Fatmir Koçi ka ndërtuar një karrierë që përfshin filma dhe dokumentarë të suksesshëm të përzgjedhur në festivale të mëdha si Venecia, Cannes, Rotterdam, Montreal, dhe të tjera. Koçi sjell në PriFest përvojën e tij të pasur dhe këndvështrimin unik mbi kinemanë shqiptare dhe atë mesdhetare, transmeton KultPlus.
Visare Aliu, dramaturge dhe skenariste nga Kosova, Visare Aliu është një nga zërat më të rëndësishëm të skenës kulturore në vend. Ajo është aktualisht Kryetare e Bordit të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe një emër i njohur për publikun si skenaristja e serialit të famshëm “Familja Moderne”. Përtej artit skenik dhe televiziv, ajo vepron edhe në fushën e komunikimit strategjik si senior copywriter dhe stratege në agjencinë kreative Koperativa.
Gentian Koçi, një tjetër emër i njohur nga Shqipëria, Gentian Koçi është regjisor, producent dhe bashkëthemelues i kompanisë Artalb Film Productions. Filmat e tij janë vlerësuar me çmime të shumta dhe janë shfaqur në festivale ndërkombëtare prestigjioze. Dy prej tyre, “Dita Zë Fill” dhe “Një Filxhan Kafe”, ishin përzgjedhjet zyrtare të Shqipërisë për Oscars. Ai gjithashtu ishte pjesëmarrës në Producers on the Move gjatë Festivalit të Kanës në vitin 2023.
Valmira Hyseni, producente dhe regjisore nga Kosova, Valmira Hyseni është bashkëthemeluese dhe CEO e kompanisë Plan Bee Films. Me mbi 10 vjet përvojë në industrinë e filmit dhe si anëtare bordi në Shoqatën e Producentëve të Kosovës, ajo ka prodhuar një numër të madh filmash të shkurtër dhe të gjatë, të cilët janë përzgjedhur në festivale si Toronto, San Sebastian, Kajro, Torino, Busan, dhe shumë të tjera.
PriFest 2025 premton një javë të mbushur me film, pasion dhe bashkëpunim kulturor. Juria e filmave të shkurtër këtë vit sjell një përzierje të shkëlqyer të përvojës, talentit dhe diversitetit profesional, që do të garantojë një vlerësim të thelluar dhe të drejtë të veprave konkurrente./KultPlus.com