5 Shtator, 2025 - 5:57 pm
Kur këngëtari britanik, David Bowie, vdiq në 2016, ai la pas albumin e fundit “Blackstar”, por pak veta e dinin se ai kishte nisur edhe një projekt tjetër, një muzikal i quajtur “The Spectator”, sipas BBC.
Ky projekt ishte i bazuar në Londrën e shekullit XVIII dhe kishte si subjekt krimin, satirën dhe artin e kohës.
Shënimet për “The Spectator” u gjetën të mbyllura në studion e Bowies në Nju Jork, të ruajtura në arkivat e tij personale. Vetëm Bowie dhe asistenti i tij kishin çelësin e dhomës. Tani ato janë dhuruar në “V&A museum” dhe do të jenë të hapura për publikun në “Qendrën David Bowie” e cila çelet 13 shtator.
Bowie ishte i tërhequr nga krimi dhe personazhe të njohur si hajduti Jack Sheppard.
Ai gjithashtu analizoi kulturën dhe artin e kohës, duke përfshirë piktorë si Joshua Reynolds dhe William Hogarth, dhe zhvillimin e muzikaleve si formë satire politike.
“Bowie ishte i interesuar në rolin e artistit si komentues i shoqërisë, dhe mund të shihnim paralelizma me ditët e sotme. Ai ishte gjithmonë një pionier që nuk donte të kufizohej nga një gjini e vetme”, thotë Madeleine Haddon, kuratore e koleksionit
Rreth 200 objekte do të jenë në ekspozitë, nga kostume skenike deri tek tekstet e shkruara me dorë dhe vizitorët mund të rezervojnë takime për të parë pjesë të tjera të koleksionit.