6 Shtator, 2025 - 11:40 am
Në mbrëmjen e katërt të KoKo fest, në teatrin “Andon Zako Çajupi”, skena u kthye në një fushë beteje të heshtur por të ngarkuar emocionalisht, ku një pikturë tërësisht e bardhë vuri në lëvizje tensionet më të thella mes tre miqve të vjetër.
Nën regjinë e Bashkim Ramadanit, komedia “Art” e dramaturges franceze Yasmina Reza, vepër e shkruar në vitin 1994, solli përpara publikut një rrëfim ironik për artin, vlerat personale dhe krisjet e padukshme të një shoqërie të vjetër. Në qendër të shfaqjes janë tre personazhe të interpretuar nga Ylber Bardhi, Ard Islami dhe Butrint Lumi.
“Kjo shfaqje flet për dy shtresa të njerëzve, për snobizmin dhe ne shtresën e mesme. Pra një djalë që ka blerë 200 euro një pikturë të bardhë dhe një shok i tij, klasik që nuk parkon me artin modern. Pra është ndeshje kulturash” tha Lumi.
Për Islamin është gjithnjë kënaqësi të performojë në qytetin e Korçës dhe kjo për shkak të publikut, të cilin e quan mjaft të veçantë.
“Është gjithmonë ndjenjë e veçantë të performosh në Korçë, Publiku është shumë i veçantë, ndoshta publiku më ekskluziv sepse janë dëgjues të mirë. Ndaj nuk përtoj kurrë me ardh në Korçë”, tha Islami.
Momente të shumta të kësaj shfaqjeje shkaktuan të qeshura në publik. Përveç kësaj, ironia, situatat absurde dhe ndërveprimi mes aktorëve bëri që përveç si një shfaqje komike, ajo të ngacmojë përvojën e gjithë secilit në atë se sa të sinqertë jemi në raport me marrëdhëniet tona./rtsh/KultPlus.com