Çfarë tha doktori

7 Shtator, 2025 - 12:34 pm

Raymond Carver

Tha që nuk duket mirë
tha që duket keq faktikisht shumë keq
i numërova tridhjetë e dy sosh në njërën mushkëri tha
para se të ndaloja së numëruari
i thashë më vjen mirë s’do të doja të dija
nëse do të kishte më shumë se aq
më pyeti nëse jam njeri religjioz a bie në gjunjë
nëpër zabele pyjesh duke kërkuar ndihmë
kur mbërrij te një mjegull pikëzash ujëvare
që më fryn drejt fytyrës dhe krahëve
a ndalem në ato çaste në kërkim të kuptimit
deri tash jo thashë por e kam ndër mend t’ia filloj sot
më vjen shumë keq tha
do të doja ta jepja ndonjë lajm të ndryshëm tha
unë thashë Amen ai tha diçka tjetër
nuk e dëgjova mirë dhe duke mos ditur ç’të bëja më
dhe duke mos dashur që ai ta përsëriste
dhe që unë ta shoshisja krejtësisht
sall e shikova për një minutë
dhe ai më shikoi gjithashtu
atëherë u çova dhe u dorështrëngova me këtë njeri që sapo më dha
diçka që kurrë askush në botë s’më kishte dhënë
bile edhe mund ta kem falënderuar shkaku i fuqisë së shprehisë

Përkthyer nga Artan Muhaxhiri/KultPlus.com

Të ngjajshme