Një univers paranormal, si të shihni sipas radhës filmat e ‘The Conjuring’ deri te ‘Last Rites’

7 Shtator, 2025 - 9:30 pm

“The Conjuring: Last Rites” debutoi në kinema më 5 shtator. Patrick Wilson dhe Vera Farmiga u rikthyen në rolet e Ed dhe Lorraine Warren, çiftit të famshëm të hetuesve paranormalë.

“Last Rites” është pjesa e fundit e sagës që nisi në vitin 2013 me “The Conjuring”, i cili tregonte historinë e një familjeje të përndjekur nga fantazmat e cila ndihmohet nga çifti. Përveçse një film i frymëzuar nga figura të njohura paranormale, filmi prekte disa ngjarje të vërteta dhe rastësi të çuditshme shoqëruan xhirimet.

Ndërsa frika shfaqej në ekran dhe jashtë saj, “The Conjuring” grumbulloi mbi 320 milionë dollarë në arkën globale. Nga ai moment, kanë vijuar një seri prodhimesh të tjera të ndërlidhura me të si “Annabelle” (2014) dhe “The Nun” (2018) që së bashku përbëjnë universin e “The Conjuring”.

Në shtator të vitit 2023, “The Nun II” pushtoi kinematë. Në tërësi janë 10 prodhime të realizuara brenda këtij universi filmik që ka grumbulluar një komunitet besnik admiruesish. Nëse po mendoni të shihni “Last Rites” apo thjesht të (ri)shihni gjithë filmat e tjerë, ju tregojmë radhën që duhet të ndiqni.

The Nun (2018)

Edhe pse doli pesë vite pas “The Conjuring”, është kronologjikisht filmi i parë. Ngjarjet ndodhin në Rumaninë e vitit 1952 ku murgesha demon Valak endet në korridoret e një manastiri të largët. Demoni që njihet më shumë si “murgesha”, u shfaq për herë të parë në “The Conjuring 2” dhe shkurtimisht në “Annabelle: Creation”.

Annabelle: Creation (2017)

Shfaqet pak në filmin “The Conjuring”, por kukulla e pushtuar Annabelle u kthye shpejt në një objekt të preferuar për shkak të buzëqeshjes së frikshme dhe origjinës së saj, bazuar në histori të vërtetë. Filmi tregon sesi kukulla u pushtua nga djajtë: një grup vajzash jetime çlirojnë gabimisht një ligësi të lashtë…dhe duhet të luftojnë për jetën e tyre.

The Nun II (2023)

Katër vite pas “The Nun”, pjesa e dytë tregon historinë e motrës Irene, e mbijetuara e vetme që jep mësim në një shkollë me konvikt në Francë. Valak e gjen sërish dhe asaj i duhet të mbrojë nxënësit.

Annabelle (2014)

Në fillim të “The Conjuring”, çifti Warren prezanton kukullën, e cila në të vërtetë gjendet në muzeun e tyre me objekte paranormale. Filmi, i cili u kthye në hit, tregon se në vitin 1967 Annabelle torturoi një çift dhe vajzën e tyre të sapolindur.

The Conjuring (2013)

Filmi është bazuar në një histori të vërtetë të një ferme të pushtuar në Rhode Island. Në film, çifti i hetuesve paranormalë shkojnë të ndihmojnë familjen Perron e cila përballet me ngjarje të çuditshme në shtëpinë e tyre, në vitin 1971. Më pas, ngjarjet përshkallëzojnë në një pushtim të plotë demoniak dhe trupa që fluturojnë në ajër.

Annabelle Comes Home (2019)

Në 1972, çifti Warren largohet për një hetim tjetër dhe punësojnë një dado që të kujdeset për vajzën e tyre, Judy, në shtëpinë ku ndodhet edhe Annabelle. Nuk do shumë dhe Annabelle ia mbath duke thirrur djaj të tjerë. Judy dhe dadoja duhet të luftojnë shpirtrat e ligj dhe të mos pushtohen prej tyre.

The Curse of La Llorona (2019)

Është film që nuk lidhet shumë me të tjerët dhe bazohet në legjendën meksikane të La Llorona, një fantazme hakmarrëse që mbyt fëmijët. Lidhja e vetme e këtij filmi me të tjerët është prifti Perez, i cili shfaqet edhe te “Annabelle”. Filmi nis në vitin 1673 me zanafillën e legjendës dhe më pas ngjarjet vendosën në Los Anxhelesin e 1973-shit, ku Anna përfshihet në ca ngjarje misterioze.

The Conjuring 2 (2016)

“The Conjuring 2” ishte gjithashtu i bazuar në një histori të vërtetë për një familje në periferi të Londrës, vajza e së cilës pushtohet nga demonët. Në të vërtetë, çifti Warren e hetoi këtë ngjarje dhe deklaroi se panë orendi që lëviznin dhe zëra jashtë trupave. Në film, ngjarjet zhvillohen në vitin 1977 dhe pas pushtimit është Valak, por jashtë ekranit kishte shumë skeptikë për këtë ngjarje e cila njihet si Poltergeisti i Enfield.

The Conjuring: The Devil Made Me Do It (2021)

Ngjarjet ndodhi  në vitin 1981 dhe lidhen me gjyqin e vërtetë të Arne Cheyenne Johnson, i cili vrau shefin e bashkëshortes. Një vit më parë, çifti Warren e kishte takuar Johnson ndërsa përpiqeshin të nxirrnin një djall jashtë trupit të një djali të vogël që ai njihte. Gjatë ekzorcizmit, Johnson iu vetëofrua djallit që ai të largohej nga trupi i vogëlushit. Më pas, ai nisi të sillej çuditshëm dhe të përkeqësohej duke arritur të vriste. Ngjarja vazhdon të ketë vëmendje mediatike dhe është trajtuar në kronika të veçanta dhe librin “The Devil in Connecticut” të Gerald Brittle.

The Conjuring: Last Rites (2025)

Filmi më i ri ndodh në vitin 1986 kur çifti Warren është gati të heqë dorë nga hetimi i ngjarjeve paranormale, por një familje ka nevojë për ndihmën e tyre dhe s’mund t’i kthejnë kurrizin. Filmi bazohet te një ngjarje që përfshin një çift në jetën e vërtetë, Janet dhe Jack Smurl, të cilët thanë se një prani demoniake po lëndonte familjen e tyer, madje thanë se po sulmonte seksualisht Jack./KultPlus.com

Të ngjajshme