Javët e Kulturës Shqiptare dërgojnë polifoninë shqiptare në teatrin vjenez

13 Nëntor, 2018 - 5:30 pm

Javët e Kulturës Shqiptare fillojnë sot aktivitetet të cilat kanë për qëllim të dërgojnë në skenat vjeneze format autentike të të shprehurit të kulturës së trashëguar dhe të krijimtarisë bashkëkohore shqiptare, shkruan KultPlus.

Javët e Kulturës Shqiptare vitin e kaluar kanë bashkuar balerinët me famë botërore Eno Peçi me muzikantë të rijnë shqiptarë nga Lugano të cilët bashkë përmes baletit modern kanë sjellë një riorkestrim të muzikës qytetare shqiptare. Po ashtu vitin e kaluar ndër të tjera është prezantuar edhe krijimtaria artistike e Jakup Ferrit.

“Vitin e kaluar kemi shfaqur krijimtarinë artistike të Jakup Ferrit; kemi sjellë festivalin e njohur botërisht DokuFest-in përmes produksioneve të suksesshme kinematografike nga regjisorë, producentë e aktorë shqiptarë në një nga kinot më të famshme në Vjenë; muzikantë shqiptarë të zhanrit klasik kanë gërshetuar klasiken austriake me atë shqiptare; pastaj muzikën bashkëkohore përmes grupit Offchestra, e shumë të tjera, ku të gjitha kanë marrë vëmendjen maksimale dhe janë përfolur gjatë” , shkruhet në njoftim.

Javët e Kulturës Shqiptare kanë paralajmëruar se këtë vit do të bëjnë edhe një hap më të madh, duke e sjellë në teatrin vjenez polifoninë shqiptare si kulturë jomateriale me vlera universale e mbrojtur nga UNESCO.

“Përmes Ansamblit Polifonik Saz’iso për të cilët kjo shfaqje është premierë në Austri dhe për neve janë kryefjala e Javëve të Kulturës 2018, pastaj do të ketë edhe muzikë origjinale Gheg Rock shqiptare përmes grupit Jericho, shfaqje teatrale të artistes së Rita Gjeka ndërsa do të bashkohen në performancë virtuozët si violinisti Shkelzen Doli, sopranoja Flaka Goranci, dirigjenti Michael Maciaszczyk dhe Orkestra Austriake e Dhomës për të sjellë tingujt e muzikës shqiptare”, shkruhet në njoftim.

Po ashtu në këtë mbrëmje do të prezantohen dhe muzikantët e njohur shqiptarë si Rina Kaçinari, Adnan Dragaj (Humus), Orges Toce, Agim Llapashtica, Alfred Bushi, Gramos Goranci e Kori i Grave ‘Lyra’ që të gjithë që veprojnë në Austri, bashkohen në një mbrëmje unike që shënon hapjen e Javëve të Kulturës.
Aktivitet e Javës së Kulturës Shqiptare do të vazhdojnë aktivitetet deri më 8 dhjetor. / KultPlus.com

Të ngjajshme