Konica: Gjithmonë e shtyj për vitin tjetër, e vërteta është se nuk do të martohem kurrë

3 Mars, 2019 - 5:30 pm

Megjithëse po bëheshin tri dekada që kur vuri këmbë për herë të parë në Amerikë, Faiku vazhdonte të ishte beqar.

“I nderuari Faik Konica i Shqipërisë është në hall të madh”, shkruante gazeta kryesore e Uashingtonit në vitin 1934. “Kur dikush e pa të martën pasdite në mesin e disa zonjave tërheqëse gjatë një kokteji në Mayflower, në vetull i kishte rënë një hije e lehtë ndërsa vështrimin e kishte të trishtuar.

Kjo i bëri përshtypje një miku në tryezën pranë sepse zoti Konica prej natyre është njeri me shpirt të qeshur. U desh të vinte e premtja që të merrej vesh sekreti. Përgjigja, si zakonisht, ishte ajo që thonë francezët: cherchez la femme (kërkoni gruan). Dhe halli ishte se zoti Konica nuk gjente dot grua”.

“Gjithmonë e shtyj për vitin tjetër. E vërteta është se nuk do të martohem kurrë”, thoshte Faiku. Ministri ia njihte të metat vetes. Ai besonte se ishte i ftohtë dhe i tërhequr në marrëdhëniet me të tjerët ndonëse nuk e quante veten tip të ndrojtur. Por dyshonte se të tjerët e shihnin si asket.

Ky beqar, i cili nuk ua tregonte kurrë moshën të tjerëve, shquhej nga të veshurit me elegancë. Mbante kostume shik blu, gri dhe të zinj, secili i shoqëruar me pallto në të njëjtën ngjyrë por pa thile në jakë, një zakon i tij i hershëm që të mos i inkurajonte vajzat t’i ngulnin aty ndonjë lule. Palltot nuk kishin as xhep sipër, sepse Faiku e quante jo sanitare mbajtjen e shamive për qëllime dekorative./ KultPlus.com

(Pjesë nga libri: ‘Faik Konica: Jeta në Uashington’, autor Ilir Ikonomi/ Botim i UET PRESS)

Të ngjajshme