Jericho ka gati këngën dhe videoklipin “Ëndërr e Prerë”, frymëzuar nga poezia e Agollit

11 Mars, 2019 - 11:40 pm

Jericho ka paralajmëruar se kënga “Ëndërr e Prerë” me titull nga poezia e Dritëro Agollit është pothuajse gati.

Përmes një postimi në Facebook, frontmeni i rockgrupit të njohur kosovar, Petrit Çarkaxhiu ka bërë të ditur po ashtu se edhe videoklipin e këngës së re e kanë gati. Atë e kanë realizuar në bashkëpunim me aktorin Xhevdet Doda, i cili, sipas Çarkaxhiut, me lojën e tij i dha kuptim projektit të ri.

Në prononcimin tij, “Rrusta” ka folur edhe disa fjalë për projektin në përgjithësi.

“Emocionalisht ishte puna më e rëndë që kemi bërë ndonjëherë. Është hera e parë që ndjehemi totalisht të pashpresë për të ardhmen e vendit tonë! Është i pabesueshëm dhe i trishtë rrugëtimi jonë prej 1999 deri në 2019, prej ‘This Is My Home’ përplot jetë e ëndrra në ‘Ëndërr e Prerë’”, ka shkruar Çarkaxhiu, transmeton Koha.net.

Frontmeni Çarkaxhiu, po ashtu, ka kritikuar ashpër akterët politikë shqiptarë. Ai ka shkruar se “atë çfarë as armiqtë nuk mundën ta thyejnë, ‘shpresën për një ditë më të mirë’, e thyen dhe e shkatërruan akterët politikë shqiptarë”.

“Atë çfarë as armiqtë tanë nuk munden ta thyejnë, ‘shpresën për ditë më t’mirë’, e thyen dhe shkatërruan akterët politikë shqiptarë të të gjitha partive pa dallim, në bashkëpunim me oligarkët e bizneseve, duke mos respektuar as më të paktën e dinjitetit njerëzor, të natyrës, ajrit e ujit e ambientit që na rrethon, në të cilën frymojmë e jetojmë!”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Çarkaxhiu thotë se thelbi i këngës së re përbëhet nga katër vargjet e fundit të poezisë së Agollit me të njëjtin titull – “Ëndërr e Prerë”. Sipas tij, këto vargje nuk ka më mirë se si ta përshkruajnë një ëndërr të prerë.

Këto janë katër vargjet:

Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë

Është turp kaq shpejtë të rrish e të vdesësh

Ne ëndërronim një vdekje më të mirë

Duke vdekur fytyrat tona ti shihnim në pikën e vesës”.L

“‘Ëndërr e Prerë’ është titulli i këngës së re të Jerichos. Është njëkohësisht titulli i një prej poezive më të dashura për mua nga Dritëro Agolli. Arsye pse kemi zgjedhur këtë titull është për shkak se, përveç tekstit të Jerichos në këngë, në formë të recitalit do të përdoret pjesa e fundit e kësaj poezie e që përbën pothuajse vet thelbin e këngës”, kishte thënë Çarkaxhiu për Koha.net, në shtatorin e vitit të kaluar.

“Tomlin e Nones” është kënga hit e këtij grupi që ishte inspirim nga poezia e “Mes dy Qytetërimeve” të Ali Podrimës.

“Nëntor i Ftohtë”, “Kur do t’pushojë kjo kangë”, e “Shkaba” janë disa prej këngëve më të njohura të Jerichos.

Të ngjajshme