5 ekspozita ndërkombëtare të artit që duhen parë në vitin 2023

7 Shkurt, 2023 - 5:31 pm

Zhytuni thellë në botën e Johannes Vermeer, eksploroni artin e Mark Rothkos nga një këndvështrim i ri ose hyni në botën fantazmagorike të Yayoi Kusama. Ekspozitat e artit në axhendën e vitit 2023 janë po aq të larmishme sa edhe interesante.

Këto janë pesë ekspozitat që duhet të shikoni në mbarë botën për këtë vit.

“Yayoi Kusama: 1945 to Now” në muzeun M+ në Hong Kong

M+, muzeu i ri i artit bashkëkohor aziatik, zgjodhi të festojë përvjetorin e tij të parë në nëntor me një ekspozitë madhore kushtuar Yayoi Kusama. Në Hong Kong, një nga “Pumpkins” e saj të famshëm u shit për 5.8 milionë dollarë në vitin 2019.

Ekspozita “Yayoi Kusama: 1945 to Now” gjurmon rrugëtimin artistik dhe personal të artistes japoneze përgjatë shtatë dekadave të fundit. Ai përbëhet nga më shumë se 200 vepra, koleksione private dhe publike, si dhe vepra që kurrë më parë nuk e kishin lënë studion e Yayoi Kusama. Kjo ekspozitë nuk duhet humbur!

“Vermeer” në Rijksmuseum, Amsterdam

Ekspozitat kushtuar Johannes Vermeer janë relativisht të pakta dhe të rralla. Pas shfaqjes së Luvrit të vitit 2017, ku u paraqitën 12 piktura të këtij mjeshtri holandez, oferta e Rijksmuseum është edhe më ambicioze, duke bashkuar 28 vepra të Vermeer nga 35 ose 37 që thuhet se ka pikturuar ai gjatë gjithë jetës së tij (numri i saktë ende vazhdon të debatohet).

Ndërmjet tyre janë “Girl with a Pearl Earring”, e vendosur në Mauritshuis të Hagës, si dhe “The Milkmaid” dhe “Girl Reading a Letter at an Open Window”.

Disa nga këto vepra, duke përfshirë edhe “Girl Interrupted at Her Music”, nuk e kishin lënë kurrë kontinentin e Amerikës së Veriut që nga blerja e tyre më shumë se një shekull më parë. Një retrospektivë që nuk duhet humbur!

“Basquiat x Warhol. Painting 4 Hands” në Fondation Louis Vuitton, Paris

Shumë pak miqësi e kanë shënuar historinë e artit kaq shumë sa ajo e Andy Warhol dhe Jean-Michel Basquiat. Në atë kohë, gazetat i referoheshin Basquiat-it si një “dishepull” ose “maskot” i mbretit të Artit Pop.

Megjithatë, të dy artistët arritën të realizojnë rreth 160 piktura së bashku midis viteve 1984 dhe 1985, duke përfshirë disa nga më të rëndësishmet e karrierave të tyre respektive.

Fondacioni Louis Vuitton kujton këtë bashkëpunim të frytshëm dhe të paqëndrueshëm nëpërmjet “Basquiat x Warhol. Painting 4 Hands.” Ekspozita përfshin më shumë se 100 piktura të krijuara nga dy artistët, si dhe një koleksion veprash nga Keith Haring, Jenny Holzer dhe Kenny Scharf. Një eksperiencë mbresëlënëse në skenën e artit të qendrës së Nju Jorkut të viteve 1980.

“Marina Abramovic” në Akademinë Mbretërore të Arteve, Londër

Marina Abramovic ka radikalizuar artin e performancës për plot gjysmë shekulli – madje aq shumë, saqë është bërë një sensacion i vërtetë i kulturës pop. Akademia Mbretërore e Arteve po kujton artisten dhe veprën e saj në një retrospektivë të madhe, e cila hapet më 23 shtator.

Vizitorët në këtë institucion në Londër do të mund të zbulojnë vepra ikonë të artistes serbe, të tilla si “Rhythm 0” (1974) dhe “The Artist Is Present” (2010). Vetë Marina Abramovic do të kontribuojë në këtë ekspozitë duke marrë pjesë në një seri eventesh përgjatë saj.

“Mark Rothko: Paintings on Paper” në Galerinë Kombëtare të Arteve, Uashington

Nëse Mark Rothko njihet për ngjyrat e tij në formë blloqesh të trasha, ai është shumë më pak i njohur për veprat e tij në letër. Megjithatë, ai realizoi më shumë se 1,000 punime të tilla gjatë jetës së vet.

Galeria Kombëtare e Artit në Uashington D.C. shfaq këtë aspekt më pak të njohur të praktikës artistike të mjeshtrit të abstraksionit në “Mark Rothko: Paintings on Paper”.

Kjo retrospektivë bën bashkë rreth 100 vepra në letër të artistit amerikan, duke përfshirë disa pjesë që nuk janë ekspozuar kurrë më parë. Një eksperiencë e re në karrierën e Rothko. / The Peak Magazine/ KultPlus.com

Të ngjajshme