Adem Dërmaku vjen me ekspozitën ‘Nuk është diçka e njëanshme’, prezanton 50-të punime

31 Korrik, 2021 - 12:58 pm

Galeria e Ministrisë së Kulturës ka njoftuar për ekspozitën “Nuk është diçka e njëanshme” të artistit Adem Dërmaku të kuruar nga Eleni Laperi e cila do të hapet më 5 Gusht 2021, përcjell KultPlus.

Ekspozita do të prezantojë 50-të punime të Dërmakut, i cili përdor ngjyra dhe teknika të ndryshme të artit të grafikës dhe luan me vijat dhe pikat mbi sfondet e pikturuara për të krijuar narativën e tij pamore.

Në krijimtarinë e tij Dërmaku i është larguar rregullave klasike të vizatimit, për t’u ndjerë më i lirë në shprehjen e ideve pamore. Krahas optimizmit dhe lojës së gëzuar e të sinqertë me vijat, pikat dhe ngjyrat, në punimet e tij ka edhe ironi, ka edhe sarkazmë, po një sarkazmë gjithmonë elegante.

Krijimet e Dërmakut e tërheqin vëmendjen e shikuesit, duke e bërë të kujtojë dhe të kuptojë cilët jemi. Sepse marrëdhënia e artistit me shikuesin është një marrëdhënie e ndërsjellë. Ajo nuk është diçka e njëanshme.

Ndërkaq Galeria e Ministrisë së Kulturës ka njoftuar se për shkak të situatës me pandeminë, ekspozita nuk do të shoqërohet nga një ceremoni inaugurimi, mirëpo do të hapet për publikun të Enjtën, nga ora 17:00 deri në orën 20:00.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 Tetor 2021. / KultPlus.com

Të ngjajshme