10 Gusht, 2025 - 5:25 pm
Në qytetin e Pogradecit është hapur ekspozita e piktorit të njohur Agron Polovina, një emër që prej kohësh ruan lidhje të ngrohta shpirtërore e profesionale me këtë vend. Dashuria e tij për Pogradecin, tregon vetë autori, lindi që në vitet e Liceut Artistik, kur pedagogu Gjergji Lako e afroi me peizazhet, kulturën dhe atmosferën unike të qytetit.
Ekspozita përfshin 38 punime, kryesisht peizazhe, por edhe tablo që pasqyrojnë veshjet tradicionale shqiptare, të realizuara gjatë udhëtimeve të artistit në zona të ndryshme të vendit. Një vend të veçantë zënë pesë kompozime të reja, të prezantuara pas një periudhe të gjatë, të cilat ndërthurin frymëzimin nga trashëgimia e Pogradecit me reflektime mbi realitetin e sotëm shqiptar, transmeton KultPlus.
Piktori Arben Golemi, mik dhe bashkëpunëtor i hershëm i Polovinës, e cilëson atë një peizazhist të spikatur dhe artist të formuar në mënyrë të plotë. Vlerësime ka dhënë edhe piktori Vagjo Vasili, duke e përshkruar si një krijues me ndjeshmëri të hollë dhe mjeshtëri të veçantë.
Ekspozita do të jetë e hapur gjatë gjithë muajit gusht, duke ftuar artdashësit dhe vizitorët të zbulojnë nga afër punën e një artisti që e lidh thellë dashuria për qytetin buzë liqenit./KultPlus.com