Alfredo Cramerotti: Të jesh kurator për mua është një mënyrë e përkujdesjes së botës

25 Korrik, 2017 - 8:37 am

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës – Arta Bunjaku – Agani, ishte ajo që hapi këtë edicion të Ekspozitës dhe Çmimit Ndërkombëtar të Fotografisë ‘Gjon Mili’, duke bërë një prezantim të kuratorit të sivjetmë dhe krijimtarisë së tij në fushën e fotografisë, shkruan KultPlus.

‘Kuratori i eksopozitës së çmimit ‘Gjon Mili’ në të cilin tashmë është përmbyllur konkursi, është Alfredo Cramerotti, cili ka ardhur këtu që të ndajë me ju përvojën e tij si kurator, shkrimtar, publicist, organizator i ngjarjeve të ndryshme, jo vetëm të artit vizual, por edhe të disiplinave të tjera të artit’, ka thënë drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, përcjellë KultPlus.
Bunjaku – Agani, ka treguar edhe për arsyet se pse pikërisht Cramerotti, është përzgjedhur si kurator i edicionit të 15-të të ekspozitës dhe Çmimit Ndërkombëtar të Fotografisë ‘Gjon Mili’ 2017.

“Karriera e tij sillet rreth ndërthurjes së disiplinave të ndryshme të artit. Poashtu një arsye tjetër se pse Alfredo është rekomanduar dhe është përzgjedhur si kurator i ‘Gjon Milit’ të sivjetmë është se ndër të tjera ai është profesor hulumtues në Universitetin e Uellsit, ku ai bën hulumtime për fotografinë dhe ndikimin e erës digjitale në realizimin e fotografisë, çka është edhe tema e ‘Gjon Milit’ të sivjetmë’, ka thënë drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Kuratori Alfredo Cramerotti u shpreh shumë i lumtur që është në Kosovë dhe se është zgjedhur kurator i këtij edicioni.

‘Kjo është hera ime e parë që jam në Prishtinë dhe po më vjen mirë që po takoj njerëz të ri. Jam i lumtur që jam këtu dhe më ka pëlqyer shumë fakti që jam përzgjedhur si kurator i kësaj ekspozite dhe ideja të bëj disa nga veprat e mia bashkë në një vend dhe ti prezantoj përpara jush’, u shpreh kuratori Cramerotti.

Për një orë rresht në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Alfredo Cramerotti, shpalosi punën e tij në fushën e fotografisë, të cilën e kishte ndarë në tetë pjesë, shembuj. Alfredi poashtu tregon se çka do të thotë për të kurimi.

‘Unë i kam bërë gati për prezantim gjithësej tetë shembuj të veprave të mia, shpresoj që të kem arritur të përbledhë në mënyrën e duhur. Për mua kurimi nuk është vetëm një ekzibicion, por është një mënyrë e përkujdesjes së botës’, ka thënë Alfredo Cramerotti.

Krejt në fund kuratori i edicionit të sivjetmë të ekspozitës dhe Çmimit Ndërkombëtar të Fotografisë ‘Gjon Mili’ 2017, tha se ka dëshirë të njohë sa më shumë artistë nga Kosova dhe të krijojë një lidhje me Kosovën.

“Kjo është hera ime e parë në Kosovë edhe pse për një kohë kam qenë Ballkan, kam qenë disa herë në Shqipëri ku kam njohur shumë artistë. Edhe tash që jam në Kosovë kam njohur artistë dhe dua ende të njoh. Të njihem me artistë të rinj është pjesë e punës sime kështu që kudo që shkoj përveç punës, përkujdesem që të njoh sa më shumë artistë të atij vendi, kuratorë, njerëz të institucioneve, artistë nga galeritë komerciale dhe jokomerciale, pra përkujdesem që të krijoj një lidhje me vendin ku unë shkoj për të prezantuar punën time’, ka thënë në fund të prezantimit të tij Cramerotti. /KultPlus.com

Të ngjajshme