Alije Vokshi, gruaja e parë kosovare që diplomoi në pikturë

11 Shkurt, 2019 - 8:04 pm

Fotografia në ballinë: Atdhe Mulla

Kur flitet për artin dhe pikturën në raport me gratë kosovare, padyshim që duhet ndalur në një pikë, se historia e pikturimit me gruan shqiptare në Kosovë fillon pikërisht me emrin e Alije Vokshit, shkruan KultPlus.

Piktorja Alije Vokshi është gruaja e parë shqiptare nga Kosova që diplomoi për pikturë. Vokshi ka lindur në vitin 1945 në Prishtinë. Ka mbaruar Shkollën Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa përfundoi studimet e magjistraturës në Beograd në vitin 1981. Ajo kreu edhe një vit specializim në Paris dhe më pastaj u angazhua deri në pensionim, si ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës nga viti 1974-2015.

Njerëzit rreth saj herët kishin filluar të nuhasnin shenjat e para të talentit të saj. Në çdo copë letre të zbrazët, ajo dikur vizatonte akte dhe portrete, madje edhe xhamat e djersitur e të avulluar ishin bërë objekt i gjurmëve të para të talentit të saj për vizatimin e pikturën.

Alije Vokshi, ishte piktore që inspirimin e kërkonte përtej dhomës së saj. Jo rrallë herë, ajo pëlhurave të bardha të kornizuara, u jepte imazhin e fshatarëve e peizazheve të anës së Dukagjinit. Ajo shpesh nisej rreth Deçanit, atje prej nga edhe i ka rrënjët. E tërhiqte fort veshja, dukja dhe zakonet e fshatrave. Qëndrimi dhe pozicioni i tyre karshi jetës reflektohet dukshëm në çdo detaj të portreteve që u prezantuan në ekspozitën  që u hap vitin e kaluar në Galerinë e Ministrisë, për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.  Në ekspozitën e saj vërehej që subjekti i pikturave të saj ishin pikërisht gratë dhe burrat e vendit prej nga vinte.

Por ajo ka lënë gjurmë më një ndër pikturat ikonë, me portretin e plakës me të zeza, që ishte vjehrra e saj Ina. Kuratori i ekspozitës, Lorik Sylejmani, në katalogun e ekspozitës kishte përshkruar një rrëfim personal lidhur me rrugëtimin e tezes së tij, ku edhe thotë se ky portret arrin ta pasqyrojë karakterin e plakës së këndshme dhe gazmore.

Ekspozita “Retrospektivë” e Alije Vokshit,  virin e kaluar shpalosi një pjesë të krijimtarisë së piktores Alije Vokshi, duke përfshirë veprat e para me të cilat ajo nisi karrierën. Kuratori Sylejmani, ishte shprehur se kjo ekspozitë ka qenë sfiduese për të, për shkak të punës voluminoze të artistes dhe njëherit tezes së tij, Alije Vokshit.

“E kam pasur një punë dhe detyrë mjaft sfiduese pasi puna e saj është voluminoze por edhe shumë cilësore njëkohësisht. Gjatë vizitës në atelienë e saj në katër dhoma, kam pasur një angazhim të madh që nga 150 piktura dhe 120 vizatime ti ndaj dhe ti sjellë në një ekspozitë prej 20 punimesh. Po ashtu dhe për herë të parë pas tridhjetë- tridhjetë e pesë vitesh nga Galeria Kombëtare e Kosovës e kemi pikturën e zonjës me të zeza, që besoj së është piktura ikonë e profesoreshës”,  ishte shprehur kuratori i ekspozitës, Lorik Sylejmani.

Alije Vokshi është pjesë e ekspozitës “Burrneshat” që  ka bërë bashkë katërmbëdhjetë artiste nga Britania dhe gjashtë artiste nga Kosova si dhe kolektivin HAVEIT. Për të dëgjuar më shumë nga jeta e saj ejani në Galerinë Kombëtare në takimin e radhës ” kafe me artisten”, në kuadër të ekspozitës Perceptime\Burrneshat.

Të mërkurën, me datë 13 Shkurt nga ora 10:30, Lorik Sylejmani, nipi i saj do të ju rrëfejë për jetën dhe veprimtarinë e artistes. Do të keni rastin të dëgjoni shumë nga ato që zakonisht mbesin jashtë biografive të shkruara në libra e mediume./ KultPlus.com

Të ngjajshme