Alketa Xhafa-Mripa, folëse në TEDxTirana (Foto)

16 Shtator, 2017 - 9:45 am

Alketa Xhafa-Mripa është një artiste bashkëkohore kosovare me banim në Londër, Britani e Madhe. Ajo ka përfunduar studimet në “Central Saint Martins” dhe Histori të Artit në “Tate Modern”, Londër.

E ardhur si studente në Londër, Alketa u kthye në refugjate kur shpërtheu lufta e Kosovës 1998-1999.

Që atëherë ajo ka shfaqur punën e saj në ekspozita në mbarë Evropën, duke përfshirë Berlinin, Londrën, Italinë, Portugalinë dhe Kosovën e saj të lindjes, ku ajo fitoi njohje më të gjerë për instalimin e saj artistik ‘Thinking of You’.

Arti i saj vjen nëpërmjet formave të ndryshme si filmave, instalacioneve, pikturave dhe fotografive, gjithnjë duke promovuar pavarësinë e gruas dhe duke kthyer vëmendjen në sjelljet redukcioniste të shoqërive shtypëse.

Në punën e saj të tanishme, të titulluar ‘Refugees Welcome’, Alketa kërkon të rikrijojë ndjenjën e mikpritjes që ajo vetë përjetoi si refugjate në Britani të Madhe.

Ndërkaq sot, që nga ora 17:30 ajo pritet të jetë pjesë e TEDxTirana2017, tek Katedralja Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë, ku do të marrë pjesë si folëse. / KultPlus.com

Të ngjajshme