Ambasadori çek prezanton ‘Imagine’ në Ditën Kombëtare të Çekisë (FOTO)

17 Tetor, 2017 - 10:21 pm

Arbër Selmani

Ivo Šilhavý, Ambasadori i Çekisë në Kosovë, ka një aparat fotografik me të cilin është i gatshëm të dokumentojë momente të ndryshme.

Një diplomat më ndryshe se homologët e tij, Šilhavý ka fotografuar sopranon Besa Llugiqi, ish Presidenten e vendit – Atifete Jahjagën, Ilir Dedën, Ramush Haradinajn, Mimoza Kusari Lilën, Anita Haradinajn, Isa Mustafën dhe personazhe të tjera, një pjesë e mirë duke i buzëqeshur momentit politik të cilin ne nuk e njohim.
Të gjitha këto fotografi, Šilhavý sonte ka zgjedhur ti sjellë para audiencës në Prishtinë, pikërisht në Ditën Kombëtare të Çekisë, në një organizim në kryeqytet ku vetë Ambasadori tregoi sa e rëndësishme është ta ndryshojmë të ardhmen pasi e kaluara nuk mund të ndryshohet, shkruan KultPlus.

“Vaclav Havel ka thënë se dashuria duhet të triumfojë mbi urrejtjen. Unë besoj në këtë thënie dhe sonte po e prezantoj rrugëtimin tim me anë të fotografive, që edhe ju të mund të besoni më pas në këtë udhëtim” ka treguar mes tjerash Ambasadori Šilhavý sonte në Sheshin 21, në një aheng me të ftuar të ndryshëm, një pjesë e mirë edhe personazhe të fotografive të tij.

Ekspozita “Imagjino” tregon rrugëtimin e Šilhavý në Kosovë në tri vite të këtij pozicioni. “Imagjino…” është një mozaik i 31 fotografive të kryetarëve të Kosovës, kryeministrave, politikanëve të tjerë, artistëve, të gazetarëve, të fëmijëve, të pjesëtarëve të pakicave, etj. Të gjithë e kanë një çështje të përbashkët dhe shumë të rëndësishme: LUMTURINË.

Kjo nuk është hera e parë që Šilhavý sjellë fotografinë si medium artistik në organizimet e Ambasadës së Çekisë në Kosovë.

Ekspozitat e mëparme filluan në tetorin e vitit 2014 me videospotin “Havelli përgjithmonë” dhe u pasuan nga fotoekspozitat “1984”, në qershor 2015, dhe “Një ditë si kjo…”, në tetor 2015, “Kohërat po ndryshojnë”, në maj 2016, “Praga Panoramike”, në qershor 2016 dhe “Në Kosovë me dashuri”, në qershor 2016.

“Për mua fotografia është mënyrë e mirë ta mbaj në mend secilën ngjarje dhe secilën pjesë të rrugës sime si diplomat, edhe në Kosovë. Sonte po e sjellë një pjesë të kësaj eksperience këtu në Kosovë dhe një pjesë të artit tim personal” tregon Ambasadori. / KultPlus.com

Të ngjajshme