Andrea Aleksi, një artist shqiptar i rilindjes në Dalmaci

18 Gusht, 2021 - 8:45 pm

Ndër artistët më të shquar të artit të Dalmacisë në gjysmën e dytë të shekullit XV, është pa dyshim edhe Andrea Aleksi prej Durrësi. Dokumentet e arkivave të qyteteve bregdetare të Dalmacisë e përmendin shpeshherë si “magister Andrea Alessi da Durazzo” (mjeshtri andrea Aleksi nga Durrësi), ose “magistro andrea lapicide” (mjeshtri andrea gurëgdhendësi, gurëlatuesi). Andrea Aleksi hyn në radhën e atyre arkitektëve dhe skulptorëve të Rilindjes së Dalmacisë, të cilët lanë pas vete vepra të pavdekshme të artit arkitektonik dhe skulpturor.

Ky është njëri ndër tre artistët më të spikatur të Dalmacisë. Veproi të shumtën në Dalmaci dhe më pak në Itali. Këtu do të flitet vetëm për veprimtarinë dhe veprat e tija në Dalmaci.

Veprat e bukura arkitektonike dhe plastike të punuara nga dora e këtij artisti gjenden në shumë qytete e vende të Dalmacisë dhe paraqesin një kontribut jashtëzakonisht të vlefshëm në artin e Rilindjes së Ballkanit. Ato stolisin edhe sot e kësaj dite ngrehina të shumta arkitektonike si; kisha, kapela, kambanare, shtëpi private, të cilat dëshmojnë për një zotësi, shkathtësi dhe fuqi shprehjeje artistike shumë të lartë të këtij artisti të madh….

Andrea (Ndreu) u lind në Durrës aty rreth vitit 1425, por përse është shpërngulur nga Durrësi nuk dihet. Si djalosh njëzetvjeçar, në vitin 1445, punon në punishtën e arkitektit dhe skulptorit të shquar Juraj Dalmatinac.

Dokumenti i parë na paraqet Ndreun duke punuar te gurëlatuesi Marko Petrov në punishtën e tij në Zarë, ku edhe mësoi zejen.

Në Split kishte shtëpinë, familjen dhe punëtorinë e tij me disa nxënës dhe ndihmës. Më 1475 u martua në Split me Marusha de Balistis. Veprimtarinë e tij mund ta përcaktojmë prej vitit 1435, kur nisi të mësojë artin e deri në fund të dhjetëvjetshit të parë të shekullit XVI, kur përmendet i vdekur.

Kur nga rreziku prej turqve Spliti fortifikohej me ngrehjen e rrethojës fortifikuese, aty punon edhe mjeshtri i vjetër, plaku Andrea, sikurse na tregojnë dokumentet relevante të vjetit 1488. Edhe pas këtij viti Andrea përmendet në paditë, kontratat për shitblerje, kontratat për punime të ndryshme e të tjera. Më 1847 përmendet përsëri përkitazi me punimet në kambanaren e Splitit.

Si mjeshtër përmendet për herë të fundit më 1503. Më 30. VIII. 1504 la pas vete dhiatën me anën e së cilës i fali kishës së Rrëshajëve në Split toka të shumta. Besohet se vdiq në vitin 1504. Emrin e tij sot e mban një rrugë e Splitit.

Veprat e Andrea Aleksit

Andrea Aleksi ishte fillimisht bashkëpunëtori kryesor i Juraj Dalmatincit, të emërtuar nëpër dokumente Giorgo da Sebenico. Në listën e bashkëpunuesve të këtij artisti nën numrin 16 është shënuar emri: Andrea Nicolo da Durazzo (më 8.I.1445), kurse në listën e viti 1452: Andrea Alessi Albanesi da Durazzo.

Në literaturën e ish Jugosllavisë e quajnë zakonisht Andrija Aleshi iz Draça.

Më vonë Andrea bashkëpunon me mjeshtrin Nikolla Fiorentinasin, sajellës i Rilindjes në Dalmaci. Është vështirë të veçohet vepra e Ndreut nga ajo e bashkëpuntorëve të tij. Për ta zgjidhur këtë problem, shkrimtarëve u ndihmoi pa dyshim analiza e stilit dhe e karakteristikave të Pagëzimores së Katedrales së Trogirit, për të cilën dihet se është vepër e Andreut.

Në vazhdim do të cekim me radhë thuajse të gjitha veprat e këtij artisti, për të cilat është vërtetuar se janë punuar nga dora e tij ose e ndihmësve të tij, nën udhëheqjen e këtij mjeshtri tonë të madh.

Veprat e Andreut në Shibenik.

Në vitet 1441-1451, së bashku me Juraj Dalmatinasin, Andreu punoi në Shibenik. Sipas koncepcionit dhe veçorive artistike, vepra të tija janë: truproja e profetit Eli në altarin e relikjeve të katedralës, brezi i lulëzuar i stolisur me dragonj, mbështetur njëri në tjetrin, jashtë katedralës. Gjurmët e daltës dhe të dorës së shkathët të Andreut shihen edhe në truproren e Shën Hieronimit, në Atin e Pushtetshëm të kupës së brendshme, në truporet e pagëzimores, në gurin e varrit të ipeshkvit Sisgoreo, punuar më 1453, si dhe në shikimin e derës së katedralës. Interesante janë edhe dritaret e mëdha të korit të Shibenikut me dantele të komplikuara gotike, të futura në një suazë katërkëndëshe kënddrejtë, gjë e cila i takon Rilindjes. Vepër e Andreut po ashtu është edhe relievi i Shën Hieronimit në medalionin e rrumbullakët në korin e Katedralës së Shibenikut, i punuar në vitin 1468. E tija është edhe Kapela e Shën Domenikut në të njëjtën kishë, e ndërtuar në vitin 1448.

Veprat e Andreut në Trogir.

Trogiri është vend në të cilin Andreu krijoi veprat kryesore të tij. Vepra më e rëndësishme dhe më e bukura e Andreut është Pagëzimorja e Trogirit, të cilën filloi ta ndërtojë në vitin 1466, kurse dhe e përfundoi më 1467, duke e nënshkruar kështu: Andreas Alexius Durrhachinus.

Në këtë vepër madhështore ai paraqiti një sintezë të punës dhe të mundësive të veta. Në fund të katedrales gjendet dera e pagëzimores në mes të shtyllëzave të skalitura në gjethe e kokrra të mëdha lerthi. Andrea e përpunoi derën nën ndikimin e stolisjes romane të Pallatit të Dioklecianit në Split, duke i nxjerrë dy gungëza përmes shiritave të gdhendur me tubëza lulesh e frutash, të cilat i mbështeteshin derës si kënde të saja. Andrea skaliti në disa rrasa mermeri në bareliev “Pagëzimin e Krishtit”. Rrasat mandej i puqi më së miri dhe ua mveshi mureve. Pagëzimorja e Trogirit përbrenda është katërkëndëshe këndrejtë me një kupës të mprehtë, venduar mbi një kornizë dystivëshe të stolisur me gjethe të skalitura, me majë të sjellë në të djathtë. Nën kornizë lëshoi një brez të madh të skalitur e të dekoruar me dragonj, të cilët mbajnë në duar një kordon të trashë festimesh. Dragonjtë janë barkosha e hundëçupulë. Korniza është mbështetur mbi disa shtyllëza të skalitura në vija vertikale. Ndërmjet shtyllëzave janë gropuar, gërryer, gungëzat e zakonshme që lartohen, të skalitura edhe ato me vija vertikale. Anesat e murit kanë formë rombi të stolisur drandofillëza, sikurse është stolisur përjashta Katedrala e Shibenikut. Mbi altarin e kapelës lartohet truporja e Pagëzuesit. Në faqen e murit, përballë altarit, përmbi kornizën dystivëshe me gjethe në valvitje në drejtim të kundërt, gjendet një gungë në të cilën është vendosur truporja e Shën Hieronimit, duke përsiatur në mes harpiave dhe gjarpërinjve, ndërsa pranë gjendet një luan. Andreu i ri dhe i gjallërishëm, në Pagëzimoren e Trogirit bëri një realizim jashtëzakonisht të fuqishëm të Shën Hieronimit në shpellë–një nga veprat më të bukura të tija. Në Pagëzimoren e Trogirit na shfaqet Rilindja e plotë: figurat donatelike, lulevargjet (girlandat) e lulëzuara, shtyllakët (pilastrat) e kaneluar. Autori zotëron mjeshtërisht hapësirën dhe merr idenë themelore arkitektonike nga forma e tempullit të Jupiterit në Pallatin e Dioklecianit. Rilindja zgjoi një interesim të madh për motivet klasike, të cilët i gjejmë në relievet dhe dekorimet e pagëzimores. Në këtë punim shkëlqen prirja stilistike me plot origjinalitet. Truporet e skalitura në mermer paraqiten të valvitura e të matura, me flokë të lëshuara, me simetri të plotë dhe me rrudhat e petkave të skalitura shumë thellë. Stili i përzierë gotiko-klasik, shihet edhe në gungën (apsidën) e katedralës dhe në harkun e pagëzimores, i cili ka një hark të mprehtë, kurse sipërfaqet e tija janë të zbukuruara me kaseta klasike, sikurse është harku i pagëzimores së Splitit.

Edhe dekori iskulpturor i anijatave të pagëzimores përmban motivet e njëjta të goticizmit dhe të klasicizmit. Nën vargun e dyfishtë të gjetheve të vrullshme, që i luhat era në dy drejtime, dragonjtë e pafrenuar mbajnë kurorat e rënda të luleve e të pemëve. Përmbi hyrjen në Pagëzimore gjendet relievi i madh i pagëzimit të Krishtit në Lumin Jordan, ku shihet modeli i plotë, sepse rrudhat e petkave humbasin vijën gotike, bëhen më të drejta dhe më të thella.

Pagëzimorja ka dekorin e rilindjes: gjethet që valviten në dy drejtime, rozetat e lulëzuara, larimet (frizat) me dragonj që mbajnë girlandat (lulevargjet) me lule, shtyllakët (pilastrat) e kaneluar, kapitelet me akant (dashtër) dhe bririn e begatisë, shtyllakët konkavë (të luguar) që mbarojnë me guaskë, etj.

Më 4. I. 1468, pasi mbaroi Pagëzimoren e Trogirit, Andrea Aleksi ndërmorri ndërtimin e kishës (kapelës) të Lumit Orsini po në Katedralën e Trogirit, së bashku me Nikolla Firentinasin, i cili vdiq më 1472, kështu që Andreu e vazhdoi punën vet. Kjo kishëz pompoze u ndërtua në navatën e majtë. Harku është i hijeshuar me skalitje të ndryshme. Kjo kapelë (kishëz) është mjaft e madhe dhe ka një kupolë, në mesin e së cilës është skalitur reliev i Atit të Pushtetshëm, rrethuar nga katër serafinë. Në altar janë skalitur në një rrasë dy engjëj, kurse sarkofagun e ri e të Lumit Orsini, në të cilin janë skalitur katër skenat e jetës së këtij Shenjtërori, e mbajnë katër engjëj të tjerë. Midis njëzet fillakëve të mermertë dalin hajnisht trupore dragonjësh të lakuriquar (cullakë) me flakadanë në dorë. Mandej kemi shtatoret (truporet) e dymbëdhjetë apostujve, të katër shenjtërorëve të tjerë, truporen e Shëlbyesit me katër engjëj, aktin e kurorëzimit të Zojës etj.

Harku me kaseta në kapelën e Lumit Orsini fitoi një realizim të ri të Rilindjes, Andreu tregon një lartësi shprehjeje artistike në skalitjet e truporeve (shtatoreve) të ndryshme në Trogir, sikurse janë: Ati i Pushtetshëm, Krishti, Zoja, Shën Gjon Pagëzuesi, Shën Gjon Ungjilltari, Shën Filipi, Shën Hieronimi etj. Përpos këtyre, në Trogir Andreu ka punuar edhe monumente të tjera.

Më 1469 punoi varrin e humanistit Ivan Sabota dhe të birit të tij Shimunit. Gjithashtu, ka punuar edhe në dekorimin e pallateve të bukura Torlon dhe Qipiko, për çka na dëshmojnë triforat dhe portaret e tyre të mrekullueshme. Relievi mbi varrin e ipeshkvit Torlon, truproja e Shën Pjetrit përmbi derën e kësaj kishe dhe skulpturat në kishën e Shën Sebastianit, janë vepra të tija, sepse karakteristika e daltës së tij është shenjë e besueshme.

Veprat e Andreut në Zarë.

Në altarin kryesor të kishës së Shën Gjonit, më 1955 u zbulua një rrasë e bardhë mermeri, e gjerë 34 cm, e lartë 35 dhe e trashë 6 cm, e cila në anën e përparme kishte të skalitur kompozicionin e Shën Hieronimit në shpellë. Relievi është i ruajtur mirë, ku mund të shihen edhe detajet. Shenjtërori plak, i devotshëm, disi i mbështjellë me një cergë, qëndron ulur me këmbë të kryqëzuara. Me dorën e djathtë shfleton librin, që gjendet në një mëngë të shkëmbit. Pak më lart gjenden të skalitur edhe dy libra. Para tij, në thellësinë e shpellës qëndron i qetë një luan. Poshtë në shpellë gjendet një kapelë kardinali; djathtas, në skaj të shpellës është skalitur një gjarpër, kurse përmbi të, në thellësinë e shkëmbit, një dragua me flatra të hapura.

Kompozicioni është i qerthulluar nga sipër si dhe në të dy anët, ndërsa poshtë si bazë gjendet një kënddrejtë. Relievi i Zarës për nga kompozicioni u afrohet atyre të Splitit (më pak atij të Galerisë dhe më tepër atij në kodrinën Marian). Trajta e shpellës dhe mënyra e latimit të shkëmbit, vendosja e luanit, e librave dhe e gjarpërit, janë të ngjashme. Dragoi këtu është shumë më lart dhe ka një pozicion tjetër fare. Shenjtërori këtu i ka këmbët të kryqëzuara, kurse në ata të Splitit ka mbështetur mjekrën në dorë dhe lexon. Kryet dolikocefal (të zgjatur), balli me madhësi mesatare, laprat e veshëve të trasha e të mishta, dora e djathtë (dorë plaku), shiritat e kapelës valviten në mënyrë temperamente. Relievi i Zarës na tregon një siguri, liri dhe mjeshtri në komponim. Figura e shnjtërorit është e vendosur në qendër të katërkëndëshit dhe këtij i janë nënshtruar si shpella e shkëmbi, ashtu edhe shtazët. Luani, për shkak të dimensioneve të vogla, nuk ka mundur të paraqitet në thellësi, si në relievin e Marianit në Split, por nuk është i latuar pa shije, si në atë të Galerisë së Splitit. Gjarpëri lakohet në mënyrë natyrore në drejtim të diagonales së katërkëndëshit dhe nxjerr kokën prej një gavre. Edhe kapela e kardinalit është trajtuar më gjallërishëm. Relievi i shën Hieronimit, i zbuluar në Zarë, është një nga veprat më të bukura të Andreut dhe gati identik me atë të Marianit në Split. Në bazë të disa motiveve, duket se artisti ynë ka punuar në Zarë edhe në pallatin e Grisogono-Vovo-s, sepse aty gjejmë kamare (nisha) jo të thella, të kaneluara që mbarojnë me guaskë, që është tipar i punimve të Andreut.

Veprat e Andreut në Split.

Veprat e Andreut në Split mund t’i radhisim kronologjikisht kështu: më 1445, 1451, 1455, dokumentet na tregojnë se ka punuar në ndërtesën e bashkisë së Spitit. Stili dhe karakteristikat e portoreve (portaleve) të oborrit të Pallatit të Ivan d’Augustio dhe në atë të familjes Papaliq në Split, dëshmojnë se këto vepra mund të jenë të tijat. Po të vërtetohej kjo gjë, Andrea do të ishte mjeshtër edhe më i madh. Ka gjasë, sepse ornamentet e tyre janë të ngjashme me ato në rrasën e varrit të ipeshkvit Ivan Skafa në Rab, që e punoi Andreu. Në një dokument tjetër theksohet se Andrea Aleksi ka punuar në ngrehinën monumentale të quajtur “Palatium”, si dhe në ndërtesën e një tregtari venedikas të quajtur Venturi Meraviglia. Dokumentet arkivore venedikase na tregojnë se Andreu punoi në kapelën e Shën Katarinës në kishën e Shën Domenikut më 1448 për 105 dukatë. Po në këtë kapelë ndërtoi edhe varrin e familjes fisnike Luccari.

Në mbarim të vitit 1472 Andrea merr përsipër ripërtëritjen dhe zbukurimin e kambanares së Katedralës së Splitit. Punimet i bëri kryesisht në katin e katërt, i cili paraqet një vepër arkitektonike të bukur, proporcionet e së cilës kanë një elegancë të gjallë. Plastika dekorative përmban ornamente që gjenden edhe në apsidën e Katedralës së Trogirit.

Relievi i Shën Hieronimit në kishën e vogël pitoreske të këtij shenjtënori në kodrinën Marian në Split, është i nënshkruar prej Andreut dhe mban datën e vitit 1480. Kjo është vepra më interesante në Split. Ky reliev, me paraqitjen e Shën Hieronimit në shpellë në altarin e kishës, është dhuratë e Andreut që ia kushtoi kësaj faltoreje.

Analiza stilistike e kësaj vepre vërteton se autor është i nënshkruari Andrea. Relievi është i skalitur në gurë polikromë. Shembëlltyra e Shën Hieronimit është një prodhim apo punim tipik i galerisë së tipave të këtij mjeshtri shqiptar. Përfaqësuesit më të mirë të këtyre tipave i gjejmë edhe në veprat e tij në Trogir. Kështu është paraqitur figura e një njeriu thatanik e ashtmadh me kokë dolikocefale, i cili rri ulur në gjysmëterrin e thellësisë së shkëmbit. I mbështetur me njërin krah në një plasaritje lexon librin, ndërsa në dorën tjetër mban një shkop. Prej gavrave të shkëmbit shikojnë hajnisht e tinëzisht përcjellësit e tij: luani, harpia, gjarpëri. Polikromia e gurit i jep pa dushim një plasticitet më të fortë dhe kontraste më të bukura kolorike. Niveli artistik i kësaj vepre, eleganca, shqetësimi dhe lëvizja e hovshme janë faktorë të një interpretimi figurativ plastik.

Më 1947 Galeria e Arteve e Splitit zbuloi edhe një reliev të këtillë në ishullin Rab. Relievi i ka dimensionet gati të njëjta me atë të Marianit dhe të Zarës. Përmbajtja dhe mënyra e përpunimit janë të ngjashme me relievin në Marian dhe në Zarë, por ka vetëm disa ndryshime të vogla. Relievi është i suazuar me një vijë të thjeshtë, plaku mjekërosh, Shën Hieronimi, rri ulur në shkëmb në thellsësinë e shpellës, i veshur me petka të grisura, me dorën e majtë në ije duke mbajtur shkopin; në të djathtën ka mbështetur mjekrën dhe lexon librin e hapur. Aty gjenden edhe shtazët simbolike, që i gjejmë edhe në paraqitjet ikonografike të këtij shkrimtari të shenjtë të kishës. Ambienti i këtij relievi u përngjanë shpellave fantastike të kompozicioneve pitoreske fetare të mjeshtërve të hershëm të Firences, të qindvjetëshit XV. Në fund të shpellës këtu kemi edhe një stemë të qerthulluar me flatra të hapura, që s’e gjejmë në relievet e tjerë. Kjo vepër i ka të gjitha veçoritë e punimeve të Andrea Aleksit: figurat thatanike, modelimin e kreut e të gjymtyrëve, mënyrën e komponimit dhe sintezën e këndshme të goticizmit dhe të klasicizmit dhe u përgjanë veprave të tjera të këtij lloji. Mirëpo, relievi i Shën Hieronimit, që gjendet në Galerinë e Arteve të Splitit, është diçka më i dobët se të tjerët, ndonëse në tërësi mjaft i fuqishëm. Së këndejmi, disa historianë të artit mendojnë se këtë vepër e kanë punuar nxënësit e Andreut më 1475-1480.

Andrea ka lënë në Split edhe dy vepra e këto janë: retabli në kishën e Betlehemit në Marian, punuar rreth viteve 1485- 1497, dhe varri, që mbaroi për vete më 1503, në kishën e Rrëshajeve të Splitit.

Veprat e Andreut në Dubrovnik.

Këtu janë zbuluar dy relieve të Shën Hieronimit, njëri nga të cilët është i dëmtuar dhe është gjetur si spolie (pre) pranë kishës së Zonjës së Kashtelit dhe tash gjendet në Pallatin Princor. I dyti gjendet te familja Haler–Pugliesi dhe është gjetur në Sllani. Për masat e të dyve janë gati të njëjtë me atë të Zarës dhe të dy kanë formë katërkëndëshi kënddrejtë. Për këto dy relieve të Shën Hieronimit nuk dihet me saktësi se a janë apo jo veprat e Andreut, por duke u bazuar në stilin dhe në karakterin e tyre, shihet qartazi se prodhim i shkollës dhe i punishtës së tij. Ndoshta i kanë punuar nxënësit ose ndihmësit e tij, porse ai vetë është i pranishëm me shembujt dhe ekzemplarët e vet, kurse shembëlltyrat e tija janë gjedhe direkte. Disa mendojnë se i ka punuar vetë Andreu si plak i thinjur, në kohën kur dora nuk i punonte më si duhet. Kompozicioni dhe përmbajtja e relieveve të Dubrovnikut janë identikë me relievet e Shën Hieronimit në Trogir, në Split dhe në Zarë, por, megjithatë, ekzistojnë edhe disa ndryshime. Shenjtori është i kthyer në drejtim të kundërt, qëndrimi i luanit dhe i harpisë ndryshon, nuk është një, por disa libra. Në relievin e dytë ka edhe më tepër ndryshime. Aty gjejmë elemente të reja të një periudhe të mëvonshme. Plaku nuk është i mbështjellë me cergë, por i veshur me rroba të mira. Kryçi është element i ri i futur në skemën e vjetër ikonografike. Shtazët shikojnë përfundi kryçit, gjarpëri fshihet nën të shënjtin, kurse luani i vogël naiv luan padjallëzueshëm me kapelën e plakut.

Veprat e Andreut në vende të tjera.

Andrea Aleksi ka lënë disa vepra të çmueshme edhe në disa vende të tjera. Besohet se një reliev engjëlli me stemë, që gjendet në kopshtin e familjes Radman në qytetin e vogël Omish, është vepër e tij. Shembëlltyra e engjëllit ka një fytyrë endërrimtare, kurse në ballë një diademë. Rreth e përqark janë të skalitura gjethet e vrullshme të goticizmit të vonshëm. Në të njëjtin kopsht, vepra të Andreut janë: një kapitel i madh dhe një enë kishtare për ujin e bekuar. Në ishullin Korçulla, në qytetin me të njëjtin emër gjenden në një ndërtesë disa kamare jo të thella të kaneluara e që mbarojnë me guaskën karakteristike të Andreut. Ky ka punuar edhe në ishullin Hvar, prej nga është sjellë në Galerinë e Arteve në Split një reliev i Shën Hieronimit. Në Itali artisti ynë punoi në ishjt Tremiti, në Padovë, në Venecie, në Firencë, në Ankonë e Janinë, por për veprat e tija në Itali na mungon literatura.

Stili dhe veçoritë e artit të Andrea Aleksit

Andrea Aleksi në veprat e tija me elemente gotike e klasike, na paraqitet si përfaqësues i periudhës kalimtare prej goticizmit në klasicizëm të artit kroat bregdetar. Në veprat e para shihet më tepër ndikimi i gotikës, kurse më vonë përdor përherë e më tepër format e Rilindjes. Mirëpo, Andreu dinte në një mënyrë të këndshme t’i shkrinte në një këto dy elemente dhe stile. Përmes shkrirjes së goticizmit të lulëzuar në zbukurimet me trajta klasike, ai depërton përherë e më tepër në klasicizëm edhe në krijimin e figurave skulpturore. Në skulpturë Andreu është mjeshtër i rryer dhe gjithmonë u ka mbetur besnik shtatoreve dhe truporeve të zgjatura, me koka dolikocefale, me rrudha të petkave, thuajse janë modeluar në argjil të lagët. Karakteristika kryesore, tipike dhe individuale e veprave të Andreut janë kokat e zgjatura, dolikocefale të shembëlltyrave të ndryshme, gjë që është cilësi e racës njerëzore dinarike. Motive të rëndomta në stolisje, në skulpturë dhe në arkitekturë janë gjethet në luhatje e sipër në dy drejtime të kundërta, rozetat e lulëzuara, frizat e dragonjëve që mbajnë girlandat (lulevargjet) me lule, kanelimi i shtyllave (pilastrave), kapitelët me akantus dhe me bririn e begatisë, pilastrat me skalitje jo të thella konkave që mbarojnë me guaskë, kamaret (nishat) jo të thella konkave (të luguara) të mbushura me kanelura klasike e me maja të mprehta në formë guaske gotike dhe harku i mprehtë. Duke ua bërë një analizë artistike veprave të tija, shihet se Andreu ka njohur mirë pikturimin e Rilindjes dhe në punimet e veta e ka imituar me sukses.

Si ndihmës i mjeshtrit të madh Juraj Dalmatinac dhe si bashkëpunëtor i skulptorit Nikolla Fiorentiasi, Andreu u zhvillua prej një gotiku të vonshëm në një artist të mirëfilltë të Rilindjes dhe paraqet një periudhë kalimtare gotiko-rilindase në artin e Dalmacisë.

Duke i analizuar të gjitha veprat e këtij artist, na shfaqet qartë figura e madhe e këtij personaliteti. Ky arkitekt e skulptor gurgdhendës, në veprat e veta shumnëfishe mbetet i pavdekshëm në artin e Rilindjes dalmatinase dhe aty zë një vend kryesor. Edhe pse në rrugën e tij të zhvillimit artistik shihen qartazi ndikimet e mjeshtërve Juraj dhe Nikolla, Andret nuk mund t’i mohohen vula personale dhe cilësitë individuale. Ky luajti rolin vendimtar në zhvillimin e rilindjes në viset pranë detare të Kroacisë. Në kohën kur në atdheun e tij Skënderbeu zhvillonte luftëra të përgjakshme kundër turqve, Andreu ndërtonte Pagëzimoren e Trogirit, këtë vepër monumentale të ndërtimit arkitektonik e skulpturor. Historiani kroat i artit Kruno Prijatel thotë: “Ndoshta në figurat me koka dolikocefale dhe në trajtat e tjera të shprehjes artistike fshihet fryma shqiptare, çka do të thotë se Andrea ishte i lidhur shpirtërisht me vendin e vet”.

Nga Kadri Halimi

BIBLIOGRAFI:

1)      Fiskovič C.–Prijatelj K., Prilozi povijestiumjetnosti u Dobrovniku, Split 1950 (Novi prilozi o andriji Alesiju).

2)      M.Vasić, Miloje. Arhitektura i skulptura u Dalmaciji, Beograd 1922.

3)      Dom Zef Oroshi, Nji arkitekt e skulptor shqiptar në Dalmati, “Shejzat” II/

1-2, Roma 1958.

4)      Karaman, Ljubo. Pregled umjetnosti u Dalmaciji, Zagreb 1952.

5)      Kolendić, Petar. Alesi i Firentinac na Tremitima–Glasnik Skop. Nauč. Društva 0/1, Skoplje 1924.

6)      Petricioli, Ivo. Alesijev relief sv. Jeronima u Zadru–Vjesnik za arheologiju i historiju dalmatinsku, LVI–LIX, Split 1957.

7)      Vodič kros Zadar, Zadar 1949. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme