Art në qese plastike

1 Shkurt, 2021 - 9:30 am

Punimet e realizuara në Pershore janë realizuar nga një artist i cili njihet me emrin “Mr Sce”.

Ai ka thënë se donte t’i “bënte njerëzit të lumtur” me veprat e tij, pasi rizbuloi dashurinë për artin gjatë pandemisë së koronavirusit.

Një person vendas e quajti atë “Banksy i Pershorit”, megjithëse stili i veprës së tij të fundit është shumë i ndryshëm.

Veprat me kafshë të ndryshme janë pikturuar në qese plastike, mbështjellë rreth pemëve – një teknikë për të cilën “Mr. Sce” ka thënë se ishte frymëzuar nga një grafist. Ai ka thënë se ky material i lejon që arti të shkrihet me ambientin përreth.

“Sinqerisht, reagimet kanë qenë të papritura”, ka thënë artisti. “Nuk mendoja se do të kishte kaq shumë interes. Mendova se disa fëmijë mund të mendojnë ‘kjo është interesante’, por shumë njerëz më kanë kontaktuar për të më thënë faleminderit. Kjo tregon se sa shumë u duhet njerëzve diçka e bukur”.

Ai ka thënë se dashuria e tij për artin u ringjall vitin e kaluar, pasi pikturoi dy dërrasa të mëdha për punëtorët shëndetësorë – ishte hera e parë që kishte pikturuar në më shumë se gjashtë vjet.

Ai postoi në Facebook, përmes të cilit kërkoi hapësirë për të realizuar punime dhe iu dha mundësia që të realizonte një mural për klubin e futbollit të qytetit të Pershores, si shenjë nderimi për Stuart Walker, i cili vdiq në fillim të vitit 2020.

Jacqui Marler, nga klubi i futbollit, e cila e porositi “Mr Sce” që të pikturonte muralin, e ka vlerësuar punën e tij si “të mahnitshme”.

Ajo ka thënë se e ka vënë re që veprat e realizuara së fundi në qytet kanë ndikuar për të mirë te qytetarët. “Ato vetëm shfaqeshin… ne kemi filluar që ta quajmë atë Banksy i Pershorit”, ka thënë ajo.

Marler ka thënë se ajo ka parë familje duke ecur rrotull në kërkim të identifikimit të të gjitha veprave artistike.

“Kjo është diçka shumë e mirë. Çdo gjë për momentin është kaq negative, dhe punimet janë mjaft të bukura e që na bën mirë”, ka thënë ajo.

Imazhi i një dhelpre është larguar kohëve të fundit. “Mr Sce”, ka thënë se ai ka në plan të vendosë punime të reja që njerëzit t’i zbulojnë në ditët në vijim.

“Unë nuk jam duke u përpjekur të bëj karrierë, por thjesht po përpiqem t’i bëj njerëzit të lumtur”, ka thënë ai.

Marrë nga “The Guardian”. / KultPlus.com

Të ngjajshme