Arti kumanovar merr banim përmes një ekspozite në Galerinë Oda në Shkodër

30 Nëntor, 2020 - 3:57 pm

Medina Pasoma

Frymëzimeve të 5 artistëve nga Kumanova, Shkodra ia hapi dyert nëpërmjet Galerisë Oda. Syri i publikut u ndesh me veprat artistike të ekspozitës  “Arti kumanovar në Odën Shkodrane” pikërisht në ditën e 28 Nëntorit, për të bindur edhe njëherë unifikimin që ka krijuar arti ndër vite dhe vazhdon ta bëj edhe sot, shkruan KultPlus.

Përderisa pandemia ndikoi në zbehjen e jetës në shumë drejtime, krijimtaria artistike i fali gjallëri shkodranëve për kremtimin e Ditës së Pavarësisë. Jo rastësisht u zgjodh kjo datë, e që nëpërmjet punës së Osman Demirit, Elita Halitit, Armend Ademit, Ardian Kadrijës dhe Dali Alilit u arrit bashkimi i dy qyteteve shqiptare.

Botëkuptimet dhe krijimtaria e këtyre 3 piktorëve dhe 2 fotografëve u shpalosën në forma të ndryshme të shprehjes artistike, duke lënë shenja autoriale në pikturë, skulpturë dhe fotografi.

Pronarja e Galerisë Oda, Rozafa Shpuza në hapjen e kësaj ekspozite u shpreh se ndjehej e lumtur që u bë nikoqir i artit të kumanovarëve.

“Edhe në këto kushte pandemie ne menduam të festojmë me art. Nuk ka kurrgjo ma të mirë se arti për me i ngroh shpirtrat, e Shkodrës ia shtuan një vlerë nëpërmjet ekspozitës në Galerinë Oda”, u shpreh Shpuza.

Në anën tjetër KultPlus ka zhvilluar një intervistë me Vlora Demirin, e cila përtej të qënurit një kritike e artit, është kujdesur edhe për prezantimin e artistëve dhe tekstin e katalogut të ekspozitës “Arti kumanovar në Odën Shkodrane”.

Demiri vlerëson se këta 5 artistë ishin dëshmi se as ky vit ‘i brishtë’ nuk arriti t’i mposht artistët dhe fuqinë e veprave të tyre, të cilat sipas saj gjetën “prehje” në Galerinë Oda.

“Interesi i publikut shkodran dhe më gjerë ndaj kësaj ekspozite bëri të ditur që pavarësisht çdo rrethane, nëntori vazhdon të mbetet muaji që i zhduk kufijtë fizik dhe shpirtërorë në mes trojeve shqiptare dhe shqiptarëve anembanë botës dhe se arti është e vetmja ikje e pastër nga ky realitet”, theksoi Demiri.

Vlora vazhdon tutje të thotë se arti është liri, në të cilin çdo artist e gjen veten e tij. Për të arritur deri te kjo gjetje mjafton të ekzistoj dëshira dhe qasja shpirtërore e artistit.  Ndërkaq ajo vlerëson se këta artistë nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut e kanë arritur këtë nivel, e sidomos duke ardhur me forma të ndryshme artistike.

“Ndryshimi i shprehjes artistike tek këta artistë shkrifet dhe kthehet në një masë homogjene në momentin që ne ngelim ballë përballë me qëllimin e tyre. Secili u përfaqësua me nga një vepër dhe fakti se çdo njëri nga artistët erdhi me një triptik, na bën të kuptojmë që janë copëzat, ato të cilat krijojnë një tërësi. Dhe ky është dhe mesazhi kryesor i kësaj ekspozite”, shprehet Demiri.

Vlora Demiri beson se në periudha të ndryshme kohore arti ka promovuar gjenialitetin e kohës, e që shumë shpesh ka ekzistuar censura, duke i robëruar autorët që të mos kenë liri shprehëse. Ndërkaq pikërisht arti bashkëkohor, ia mundësoi krijuesve të shprehen ashtu siç vetë dëshirojnë, e që e tillë është edhe ekspozita “Arti kumanovar në Odën Shkodrane”.

“E bukura e kësaj ekspozite është që del nga ato që jemi mësuar t’i shohim dhe pavarësisht mënyrës së shprehjes vë pikën në qëllimin dhe mesazhin e artistëve dhe jo në mënyrën se si ata kanë ardhur deri tek ky qëllim”, shpjegoi Demiri.

Ashtu siç dallon njeriu nga njeriu, njësoj dallon edhe forma individuale e shprehjes artistike. Mirëpo, bashkimin e 5 artistëve që secili ka veçantitë e veta, Vlora Demiri dëshiron t’i sheh me një sy unifikues, ashtu edhe siç kanë ardhur në një ekspozitë të vetme.

“Kam përshtypjen që do të ishte shumë më e denjë t’i shohim në tërësi dhe jo të ndarë. Edhe fotografia e Osman Demirit dhe Dali Alilit, edhe pikturat e Elita Haliti dhe Armend Ademit, por dhe skulptura e Adrijan Kadrijës janë lutje me të cilën autorët i drejtohen shikuesit për të rindjerë dhimbjen e patologjisë tonë kolektive si popull”, vlerëson Demiri

Tutje, ajo vazhdon të besoj se e veçanta e këtyre 5 krijuesve mbetet te ikja e tyre nga shprehja narrative që zakonisht bëhet për të shënuar data të caktuara, madje edhe se nëpërmjet gjuhës së fuqishme të artit ata mishërojnë realitetin dhe problemet me veprat e tyre.

“Në veprat e tyre nuk u jepet vend datave, personaliteteve dhe ngjarjeve konkrete të historisë, por ata shpalosin hapësirat që duhet mbushur, të mbetura në mes kronologjisë së arritjeve tona si popull”, thekson Demiri.

Vlora tutje shprehet se këto vepra janë thirrje ndaj publikut që të dalin “nga vegimi i dalldisur që zakonisht e shohim në këto data të veçanta dhe të kthehemi nga e ardhmja dhe të veprojmë për të”.

“Me një qasje konceptuale dhe me një shprehje bashkëkohore ata arrijnë të shtjellojnë problemet qindra vjeçare të popullit tonë”, vlerëson ajo.

Vlora e ndërlidh edhe vendin ku është shfaqur kjo ekspozitë me simbolikën e emërtimit përgjatë historisë. Kështu ajo krijon udhëkryqe mes odave shqiptare dhe Galerisë Oda.

“Kjo odë shkodrane ishte pikërisht ajo ku përsëri u shpalosen dhe ‘u diskutuan’ problemet më me zë të popullit tonë. Kumanova respektoi mikpritësen me një art të denjë ashtu siç e meriton një vend si Shkodra, i njohur për mikpritjen e saj”, sqaron Demiri.

Për Vlorën kjo ekspozitë mbetet një tentative dhe lutje për bashkim si dhe një pasqyrë e gjendjes popullore.

“Është pikërisht kjo qasje e sinqertë e artistëve ajo që i bën ata të veçantë në përzgjedhjen e ekspozimit të këtyre problemeve, pikërisht në këtë datë kaq të rëndësishme për ne”, sqaron Demiri.

Ekspozita “Arti kumanovar në Odën Shkodrane” do të mbetet e hapur për një muaj për artdashësit shkodran në Galerinë Oda. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme