Arti shkrin kufijtë mes shteteve shqiptare nëpërmjet ekspozitës “Synime”

8 Tetor, 2020 - 10:43 am

Arti ka qenë përherë pikëtakim i kufijve, kombeve dhe kulturave të ndryshme. Mirëpo, kësaj radhe arti po bashkon punimet e një kombi të ndarë në kufij. Galeria Kombëtare e Kosovës në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë po vijnë me ekspozitën “Synime”, shkruan KultPlus.

“Synime” do të hap dyert për sytë e audiencës së pari në dhjetor të këtij viti në Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri, për të zbarkuar në prill të 2021 edhe në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Puna artistike e të dy vendeve është hulumtuar nga kuratoret e kësaj ekspozite, Erëmirë Krasniqi dhe Adela Demetja, e cila do të vie si publikim në maj të vitit 2021.

“Ekspozita bazohet në hulumtimin e realizuar mbi artin dhe kulturën në këto dy vende dhe shqyrton nga afër kushtet dhe regjimet estetike që kanë diktuar prodhimin, shprehjet artistike dhe vendin e gruas në të”, thuhet në njoftimin e dy Galerive nga shtetet shqiptare.

Ajo që do ta karakterizoj këtë ekspozitë do të jetë karakteri i saj feminist. Kështu Galeria Kombëtare e Arteve dhe Galeria Kombëtare e Kosovës bashkë me kuratoret janë kujdesur që tematikat kryesore që do të paraqiten në këtë ekspozitë të jenë çështjet rreth kultit të gruas në bashkëveprim me artin. Kësi soji, “Synime” do të paraqes gruan si pozicion apo frymëzim artistik dhe në anën tjetër si krijuese e artit, duke sjellur në pah metodologjitë individuale të grave artiste nga Kosova, Shqipëria e diaspora.

“Nisur nga synimi për të zgjeruar historitë e grave në art, ekspozita shqyrton terrene të reja kritike për të ripërvetësuar dhe ripërfytyruar subjektivitetin e grave në historinë e artit”, thuhet në njoftimin e përbashkët të dy Galerive.

E bazuar në 4 koncepte: përmbledhje të pamjeve, gramatikë të kujtesës, anakronizma të vullnetshme dhe arkive trupore, ekspozita do të ofroj diskutime për veprat e prodhuara nga gratë që nga koha e pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri në ditët e sotme. Kjo ekspozitë e cila vie si bashkëpunim i artistëve nga Shqipëria dhe Kosova, është projekt i nënshkruar në mes të Ministrive të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të dy shteteve dhe organizohet në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor./KultPlus.com

Të ngjajshme