займ на карту онлайн потребительский кредит

Arti si protestë kundër shtypjes nuk duhet që të vijë vetëm nga artistët

26 Janar, 2019 - 3:51 pm

Alberina Haxhijaj

Sot në Galerinë Kombëtare të Kosovës është mbajtur diskutimi “Arti si protestë kundër shtypjes”. Ky diskutim është organizuar në kuadër të ekspozitës “Perceptime: Burrneshat” e cila do të sjellë për një muaj rresht, diskutime të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me artin dhe përfaqësimin e grave në këtë fushë.

Paneliste e këtij paneli të moderuar nga Zana Hoxha Krasniqi,  ishte artistja Alketa Xhafa – Mripa, e njohur për instalacionet e saj që shtrojne pyetje rreth grave të përdhunuara, të drejtave të imigrantëve, si dhe grupeve të tjera të margjinalizuara. Alketës,  për të diskutuar më shumë për “Artin si protestë kundër shtypjes” i është bashkuar edhe Jeta Xharra, gazetare,  që njihet për gazetarinë e saj hulumtuese ku përmes punës së saj,  lufton për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes.

Artistja Alketa Xhafa- Mripa në këtë panel diskutimi shpalosi më shumë detaje rreth veprës së saj “Baby Doll On, Baby Doll Off” me të cilën u përfaqësua në ekspozitën “Burrneshat”. Ajo tregoi se vepra e saj tregon se gratë janë më shumë sesa të bukura, të turpshme, apo me moral. Sipas saj,  gratë janë më shumë sesa një objekt të cilin mund ta lësh të flasësh, apo ta bësh të heshtë sipas dëshirës, sikur të ishte një llampë për ta vendosur në prizë. Pikërisht kjo vepër ka ardhur si një protestë kundër shtypjes dhe pro respektimit të të drejtave të grave. E realizuar në vitin 2007,  një ditë pas Ditës së Gruas, Alketa Xhafa- Mripa ka kërkuar që respektimi dhe vlerësimi i grave të bëhet gjatë gjithë vitit, gjatë 365 ditëve dhe jo vetëm për data të caktuar si Dita e Gruas.

“Si artiste nuk mundem të qëndroj indiferente ndaj padrejtësive,  dhe si artiste,  e vetmja mënyrë që unë mund të reagojë është përmes artit. Prandaj këtë e kam bërë edhe te kjo vepër por edhe tek të tjerat. Fatkeqësisht kjo vepër qëndron akoma, mirëpo ka ndryshime pasi që ligji i natyrës na bënë që të ndryshojmë dhe e di se çdo transformim është e bukura e jetës, mirëpo neve si gra na mbetet për të punuar edhe më shumë”, u shpreh ajo.

Madje, një protestë përmes artit të saj kjo artiste e pati bërë edhe me instalacionin e saj “Mendoj për ty”, ku kishte mbledhur mbi 5 mijë fustana dhe i kishte vendosur në stadiumin e Prishtinës në solidarizim me gratë e dhunuara gjatë luftës. Vendosja e këtyre fustaneve në një ambient të njohur kryesisht si i burrave, e ku aty ata e shfaqin mllefin, shajnë e djersitin, kishte ardhur pasi që ajo e kishte parë një dokumentar që fliste për të dhunuarat gjatë luftës. Sipas saj, ajo duke mos pasur mundësi që të ndryshojë ligje apo diçka të tillë, formë të vetme të reagimit e ka parë artin e saj.

Në anën tjetër, gazetarja Jeta Xharra u shpreh se nuk nënkupton që vetëm artistët mund ta përdorin artin si formë kundër shtypjes. Ajo u shpreh se një rezistencë e tillë është bërë edhe më parë përmes shtëpive-shkolla, zhurmave me çelësa,  gjersa i godisnin me ta ndonjë hekur gjatë protestave në vitet e 90-ta, apo varrosja e një arkivoli të zbrazët si shenjë për të varrosur dhunën e atëhershme, por edhe përmes satelitëve nëpër banesa para luftës, si mjet për të pasur mundësi për tu informuar në kohën kur Kosova ishte në terr informativ.

 “Format e rezistencës paqësore që i kemi përdorur në atë kohë për me u shpreh, apo për me i tregu botës se çka po dojmë i kam parë si shumë të rëndësishme në atë kohë. Bazat e para për të menduar në mënyrë kritike unë nuk i kam marrë prej shkollës, por prej teatrit. Bazat e para e që më kanë shty që edhe me studiu dramaturgjinë i kam marrë në Teatrin Dodona,  kur pata parë shfaqjen ‘ Moti paton’. Aty katër burra më mësuan se ne mund të kritikojmë, përqeshim dhe shajmë dikë ose diçka. Mundemi edhe me e rregullu shoqërinë tu ja vendos një pasqyrë në një formë përpara”, u shpreh ajo, duke theksuar se arti në Kosovë është më përpara, për shkak të kritikës që ja jep ambientit dhe kohës ku jetojmë në krahasim me industritë tjera.

Tutje ajo tregoi se pikërisht teatri e ka frymëzuar edhe për punën e saj të tashme si gazetare. Emisioni “Jeta në Kosovë” ka lindur si ide kur në vitin 2003 ajo shkoi për të parë adaptimin e filmit klasik të njohur “A Clockwork Orange” i cili erdhi i adaptuar nga Faik Ispahiu. Këtu ai kritikonte Bashkësinë Ndërkombëtare, UNMIK-un e të huajt.

“Kam dashur që këtë gjuhë kritikuese ta përdorë në emisionin tim, pasi që këtë ton edhe këtë rezistencë, që ti nuk je ma i mirë se unë veç pse fol anglisht ose serbisht. Kjo ka qenë edhe arsyeja që më ka bërë që për një vit ti kërkojë Ispahiut që me bashkëpunu dhe që 15-të vite e kemi të njëjtin emision me idenë që jo vetëm të informojë, po të bëjmë edhe teatër. Pra kështu e përdori unë artin rezistues në punën time e ku ja kom pa hajrin”, u shpreh ajo.

Ekspozita “Perceptime: Burrneshat” si dhe diskutimet që po zhvillohen janë rezultat i bashkëpunimit në mes të British Council dhe Galerisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme