Artisti Erhan Bayladi sjellë gruan dhe natyrën në Muzeun e Kosovës

26 Shtator, 2017 - 9:58 pm

Arbër Selmani

Secila fotografi ka një grua në të. Ajo është e kthyer me shpinë kah aparati fotografik, duke festuar jetën, duke shikuar natyrën, duke përjetuar kënaqësinë e puhizës së detit. Është e njëjtë grua në 36 fotografitë e realizuara nga dora e artistit turk Erhan Bayladi.

Përtej fotografive, Bayladi është edhe një kitarist. Kur flet për vete, thotë se është një artist i botës dhe i paqes, me gruan si një inspirim të përhershëm në punët e tij artistike. Gruaja e jetës së tij i qëndron afër kur ai bën hapjen e ekspozitës së tij sonte në Prishtinë, në Muzeun e Kosovës.


Artisti sonte ka bërë edhe hapjen e Ditëve të Trashëgimisë Evropiane të cilat vijnë në Prishtinë me aktivitete të ndryshme. Kati i dytë i Muzeut sonte pati muzikë e melodi shqipe krahas fotografive ku natyra dhe gruaja putheshin mrekullueshëm.

“Në fotografitë e mia kam shumë shpesh inspirim gratë. Këtu janë fotografi të cilat i kam realizuar në Turqi, në Holandë, në Maqedoni, në Gjermani dhe në shtete tjera. Gruaja është e bukura e fotografive të mia” tregon artisti turk i cili duket se i dha ngjyrim tjetër kësaj ekspozite në Muzeun e Kosovës.

Cikli i grave dhe natyrës zë kësisoj një hapësirë të konsiderueshme në këtë ekspozitë. Artisti thotë se ka kohë që ka dashur që një përthekim të tillë arti ta sjellë në Kosovë.


“Jemi takuar në Stamboll me zotëriun Refki dhe ai më pas na ftoi të vinim këtu dhe të ishim pjesë e kësaj ekspozite me të cilën nisin Ditët e Trashëgimisë Evropiane. Jam i lumtur që këtë anë të artit tim ta sjellë në Prishtinë. Sot ka edhe muzikë dhe shpresoj që publiku të marrë ndjesi edhe nga muzika edhe nga fotografitë e mia” tregon artisti për KultPlus.

Para se të bëhej hapja e ekspozitës, Ansambli “Mirdita” nga Resheni solli meloditë e ndryshme shqipe, për një atmosferë e cila ndërlidhi mirë muzikën dhe artin pamor që gjendej prapa krahëve të audiencës. Gjergj Marku nga ky Ansambël i dëshiroi publikut një emocion nga ekspozita por edhe nga muzika që sollën artistët e Ansamblit, me veshjet e tyre kombëtare që gjithmonë rrëqethin lëkurën e shqiptarit.

Një burrë i mbushur art, Erhan Bayladi në fillim të viteve 90-të nisi të merrej aktivisht me muzikë, si kitarist dhe pjesë e disa koreve muzikore në Turqi. Ai ka kompozuar rreth 70-të melodi ndërsa një pjesë të tyre i ka të lansuara si pjesë e albumit “Kırçiçeği”. Ai luan edhe në instrumentet Tambur, Kanun dhe Bağlama. Dhe si qershia mbi tortë, ai është edhe shkrimtar dhe botues i disa novelave e librave në Turqi, mes tyre “Kocamustafapaşa’lı Küçük Mustafa”.

Në ndërkohë Ditët e Trashëgimisë Evropiane do të vazhdojnë me aktivitete tjera. Të shtunën në kryeqytet vjen ekspozita me artistët Vlora Hajredini-Hajrullahu, Saba Berisha-Ismaili, Mire Canolli, Ilire Lepaja, Granita Grezda-Lila, Dafina Vitija dhe Ardita Begu. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme