5 Maj, 2025 - 2:06 pm
Më 7 maj 2025, duke filluar nga ora 19:30, në Open Art Gallery hapet ekspozita personale e artistit Esat Valla, “Artit Pamor si Rezistencë (1990–1999)”, kuruar nga Zeni Ballazhi.
Kjo ekspozitë sjell për publikun një cikël veprash të krijuara në periudhën më të errët të historisë së vonshme të Kosovës, ku arti u bë gjuhë proteste, rezistence dhe mbijetese përballë represionit serb.
Në dekadën vendimtare për fatin e Kosovës, arti i Esat Vallës u shndërrua në një formë të heshtur, por të fuqishme qëndrese. Duke u përballur me censurë dhe përjashtim institucional, ai krijoi vepra që përçojnë dhimbjen kolektive të një populli dhe luftën për ruajtjen e identitetit kombëtar. Ngjyrat e kuqe, të zeza, të bardha dhe të kaltërta dominuan telajon, duke shprehur tragjedinë, por edhe shpresën për një të ardhme më të mirë.
Temat kryesore të veprave të artit në këtë periudhë të krijuara nga Esat Valla janë:
• Dhuna dhe represioni: Vepra që pasqyronin brutalitetin policor dhe frikën kolektive si: “Thyerje qetësie”, “Sulmi i demit dhe goma”, “Dashi kurban”, “Demi i lënduar”, “Flutura gomë” etj.
• Shpërnguljet dhe mungesa e lirisë: Kompozime me figura të mbyllura, të thyera apo të errësuara si: “Shkëputja”, “Fosilet e dhisë”, “Demolimi i fakultetit teknik” etj.
• Identiteti dhe kultura shqiptare: Përdorimi i simboleve kombëtare, motiveve folklorike dhe elementeve tradicionale si shenjë e qëndresës kulturore: “Kokat”, “Koka e kaltërt”, “Dashi”, “Demonët” etj.
• Shpresa dhe mbijetesa: Përkundër vuajtjes, disa vepra përçuan mesazhe shprese, ringjalljeje dhe besimi në liri: “Fluturat dhe demonët”, “Lumi amshuar”, “R&N”, “Sulmi i kokëboshëve” si dhe pjesa e cikleve të fundit si faza në tranzicion etj.
Esat Valla, me stilin e tij të veçantë dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, dëshmon se arti pamor mund të jetë më shumë se estetikë – ai është rezistencë, dokumentim dhe kujtesë. Kjo ekspozitë është një ftesë për të mos harruar, për të reflektuar dhe për të nderuar dinjitetin e njeriut përmes gjuhës universale të artit./KultPlus.com