Artisti italian Ettore Favini vë në pikëpyetje identitetin e kosovarëve

28 Gusht, 2017 - 5:30 pm

Me ardhjen e Pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008 dhe kësisoj edhe me formimin e një shteti me tërë komponentët e tij, në opinionin publik nisi të qarkullonte ideja se pasi Kosova u bë shtet, tash duhej të flitej edhe për Kosovën si komb.

Çdo shtet duhet ta ketë edhe kombësinë. Artisti Ettore Favini shpalosë një inspirim të tillë në konceptin e punës artistike të cilën e ka sjellë në Prizren.

Gjithçka po ndodhë në kuadër të Autostrada Biennale – një Bienale arti e cila duket se kësaj radhe ka qëlluar në shenjë me edicionin debutues, me vepra e artistë të ndryshëm. Favini, një prej artistëve pjesëmarrës, vjen me një instalacion mbi simbolizmin kosovar.
Në fakt – “Simbolizmi Kosovar” është emri i punës së artistit italian.

Ai ka zgjedhur të punojë me atë që ai e quan element dekorativ që prezanton edhe sferën kolektive, por edhe atë personale: qilimin.

“Qilimi është hapësirë dhe vend i privatësisë shtëpiake, vend ku edhe shkëmbehen mendime. Qilimi është hapësirë pa kufi ku përfaqësohen simbole të përbashkëta. Ideja ime me punën në Prizren është që të krijoj një punë të hapur, ku audienca mund të bëhet vetë autore, të përfshihet në zgjidhjen e simboleve” tregon artisti.

Një pyetësor tenton të marrë mendime njerëzish për një identitet të ardhshëm kosovar, bazuar në memorien kolektive, të ardhmen dhe peizazhin. Ai e ka kuptuar se fakti që kosovarët janë vend i izoluar dhe në nevojë për viza udhëtimi, kjo paraqet problem edhe në krijimin e një identiteti, në të cilin zë vend më pas ndjenja kombëtare e ajo shtetërore, shkruan KultPlus.

Favini ka lindur në Kremones të Italisë në vitin 1974. Ai cakton përvojën e dëgjimit të tregimeve “të vogla” për të ushqyer veprat që përcaktojnë marrëdhëniet mes njerëzve dhe mjedisit të tyre. Kujtesa, të dyja – individuale dhe kolektive, është shpesh në qendër të një rruge që lëviz nga burime autobiografike të frymëzimit drejt temave universale, si koha dhe ekzistenca. Puna e tij, e cila priret të jetë specifike për vendin, zhvillohet përmes një procesi të gjatë rritjeje, që i bënë ato organizma të gjallë, pa përfunduar realisht kurrë: pajisjet e hapura të vizionit në çikrik, në të cilën puna merr pjesë në jetë, duke e bërë shikuesin pjesëmarrës aktiv.
Çmimi Artegiovane nga Dhomat e Tregtisë së Milanos dhe Torinos (2005) dhe Çmimi prestigjioz në Nju Jork nga Universiteti i Kolumbias (2007), janë në mesin e çmimeve që artisti ka marrë. / KultPlus.com

Të ngjajshme