Artisti nigerian që ua kthen jetën në normalitet njerëzve në nevojë me proteza silikoni

23 Janar, 2020 - 9:33 pm

Një artist nigerian bën protetikën e lëkurës së errët për të rritur besimin e pacientëve.

Michael Sunday ndihet i lumtur derisa admiron dorën e tij të djathtë të re, një protezë silikoni për të ndihmuar atë të kthehej në jetën normale.

Ai humbi tre gishta në një aksident automobilistik një vit më parë.

Protetika ka një ndjenjë hiper-reale dhe, në mënyrë të pazakontë, është me ngjyrë të errët, që përputhet në mënyrë të përkryer me tonin e lëkurës së Sundayt, raporton Reuters.

“Me të vërtetë më ka ndihmuar, sepse unë mund të vazhdoja jetën time normale pa e shikuar dorën time, pa frikë nga diskriminimi ose keqardhja”, tha Sunday, i cili nuk donte që identiteti i tij të zbulohej në kamerë.

Zëri i tij u përfshi nga emocioni, teksa vështroi për herë të parë protetikën.

Shumica e tyre në dispozicion në Nigeri deri më tani kanë qenë të bardha, ose janë bërë nga materiale të tilla si druri.

Studenti 22-vjeçar humbi gishtin e madh dhe gishtat e katërt dhe të pestë në dorën e djathtë, kur automjeti me të cilin udhëtonte bashkë me prindërit e tij më 31 dhjetor 2018, u përplas me një automjet tjetër, transmeton KTV.

E artisti që qëndron pas kësaj mrekullie është John Amanam, një 32-vjeçar, ish-ekspert i efekteve speciale të filmit.

Ai pati interes për protetikën, pasi një anëtar i familjes humbi një gjymtyrë në një aksident.

“Thjesht dua që ata të ndihen mirë dhe mundohem që me punën time t’ua lehtësojë dhimbjen”, tha mes të tjerash Amanam.

Kështu që ai filloi të bëjë gishta, duar, krahë, këmbë dhe veshë protetikë në vitin 2017.

Në varësi të madhësisë dhe kompleksitetit të protetikës, duhen tri javë deri në dy muaj për ta bërë një të tillë.

Amanami nuk ka trajnim zyrtar në bërjen e protetikës, por studioi skulpturën si student i artit.

Ndërmarrja e tij, Immortal Cosmetic Art, është pjesë e një industrie në rritje të shërbimeve që ka ndihmuar ekonominë e Nigerisë të bëhet më e madhja në Afrikë.

Amanami tha se toni i lëkurës që nuk përputhet e bën më të vështirë për njerëzit të ndihen të sigurt me gjymtyrët e tyre artificiale. /KultPlus.com

Të ngjajshme