Artistja shqiptare pikturon glamurin e Hollywoodit të viteve ’50 e ‘60

3 Dhjetor, 2018 - 4:30 pm

Ilmika Kulla është e obsesionuar me pikturimin e personazheve glamurozë, veçanërisht yjeve hollywoodiane të viteve ’50 e ’60. Mes tyre Audrey Hepburn, Marilyn Monroe dhe Marlon Brando, thuhet në shkrimin e waterburyobserver, që sot e transmeton “Koha Ditore”.

“Ikonat e ditëve të sotme nuk e kanë elegancën dhe stilin e njëjtë”, ka thënë Kulla. “Jam e fascionuar me Hollywoodin e vjetër”. Por Kulla do t’ju befasojë edhe me pikturimin e pazakonshëm që u ka bërë personaliteteve të tjera, përfshirë Freedie Mercury, Muhammad Ali, Gandhi, Michael Jackson, Kim Kardashian, JFK, Budën dhe Barack Obama.

“Kaloj nëpër faza”, ka thënë Kulla. “Unë po ashtu pikturoj edhe peizazhe, të cilat janë goxha relaksuese, por preferon të marrë rreziqe dhe t’i pikturojë ikonat në mënyra të papritura”, ka thënë ajo.

Nganjëherë Kulla e sheh përfundimin e një pikture para se ta fillojë punën, ndërsa në raste të tjera ajo merr drejtim krejtësisht të ndryshëm në realizimin e një vepre arti.

“Pjesa më e vështirë është ta dish se kur ka përfunduar vepra”, thotë Kulla. “Për mua, kjo pikë vjen kur e ndiej që më nuk mund të vë asgjë tjetër në kanavacë”.

Një pikturë të cilën audienca nuk e ka parë ende është vepër që Kulla e ka krijuar për Freddie Mercuryn.

“Ai vdiq nga AIDS-i më 1991, vitin e njëjtë kur Shqipëria u hap ndaj botës dhe ne kishim mundësi ta dëgjonim muzikën e tij”, ka thënë Kulla.

“Kohëve të fundit e kam parë filmin që i është dedikuar atij, ‘Bohemian Rhapsody’ dhe kam qarë gjatë gjithë kohës. Bëhem shumë emocionale kur është fjala për Freedie Mercuryn dhe vështirësitë që i ka kaluar ai si fëmijë, për shkak se ka qenë ndryshe”, ka thënë ajo.

Kulla është duke e përgatitur ekspozitën e saj të dytë brenda vitit 2018, ku do t’i ekspozojë 25 vepra origjinale në “Vyne Restaurant” më 6 të këtij muaji në qytetin Middlebury.

“Jam e emocionuar dhe nervoze. Ego im luan me mua dhe pyetem nëse dikush do ta kuptojë se çfarë kam pikturuar”, ka thënë Kulla. Gjatë një ekspozite në “La Tavola” të hapur në muajin maj, Kulla kishte ekspozuar pikturat e JFK dhe Barack Obamas. Kulla kishte emigruar nga Shqipëria në vitin 1998 kur ishte vetëm 10-vjeçare.

“I dija disa fjalë në anglisht. Dija sesi i thonë maces, qenit, ombrellës, lapsit e stilolapsit”, ka thënë ajo. Por ajo e dinte shqipen dhe italishten, dhe shumë shpejt e përvetësoi edhe spanjishten duke shikuar seriale televizive.

“Anglishtja është gjuha e katërt që zotëroj”, ka thënë ajo. Kulla, një pjesë të fëmijërisë së saj e kishte kaluar në qytetin e Beratit në Shqipëri, duke eksploruar artin teksa bënte fustane për kukullat e saj.

“Jam i vetmi fëmijë në familje dhe gjithmonë e kam dashur artin”, ka thënë ajo. “Shqipëria ishte vend i varfër dhe nuk kisha kanavacë as ngjyra, por kisha një fletore, lapsa dhe stilolapsa. Dhe në të vizatoja fustanet”.

Në vitin 1998 kur Kulla ishte shpërngulur në Connecticut me prindërit e saj, e kishte ndjekur pasionin e saj në pikturë dhe në dizajnimin e fustaneve. Ajo kishte punuar për një disenjator të fustaneve të nusërisë dhe kishte dizajnuar edhe fustane për ngjarje të veçanta. Për ekspozitën e 6 dhjetorit, e ka dizajnuar edhe fustanin e vet.

Kulla e përshkruan veten si spirituale dhe e ka pikturuar Budën disa herë.

“Buda përfaqëson paqen dhe të qenit në moment, gjë që është edhe mënyra sesi pikturoj unë”, ka thënë ajo.

Ekspozita e së enjtes do të jetë e katërta në pesë vjetët e fundit që ka realizuar ajo. E para ishte hapur në “Bin 300” në Wolcott dhe siç ka thënë ajo, ishte shumë e suksesshme. Ajo ishte inkurajuar nga miqtë të prezantonte punën e saj në hapësira publike dhe aty kishte shitur disa nga veprat.

“Ideja është që të shes disa nga pikturat, por më e rëndësishme për mua është të ekspozoj punën time dhe njerëzit ta vlerësojnë atë”. Ekspozita e së enjtes është e hapur për të gjithë audiencën falas. Kur është pyetur se çfarë mund të pres audienca nga kjo ekspozitë, ajo përgjigjet duke buzëqeshur. “Do të ketë diçka për të gjithë. Asnjëherë nuk pikturoj të njëjtën gjë dy herë”, ka thënë ajo. /KultPlus.com

Të ngjajshme