FemArt dhe Eliza Hoxha hapën bodrumin e Hotelit “Grand”, aty ku paramilitarët serb dhunuan gra shqiptare

10 Qershor, 2019 - 10:40 pm

Ekspozita “Bëhu fytyra ime” nga artistja Eliza Hoxha ka hapë një kapitull të dhimbjes së grave shqiptare, e cila ishte vendosur pikërisht në një nga bodrumet e Hotelit “Grand”, ku në kohën e luftës në Kosovë, paramilitarët serb kishin dhunuar shumë gra shqiptare.

Qendra Artpolis i ka hapur dyert për javën e festivalit të përvjetshëm FemArt në ambientin e Hotelit “Grand” në Prishtinë, pikërisht me ekspozitën e Eliza Hoxhës që sillte rrëfime të vendosura në kornizë, e që të jepnin ndjesi dhimbjeje, ku po në ato korniza ishin shkëputë copëza të rrëfimeve që tregonin tmerrin, dhimbjen dhe vuajtjen e këtyre grave.

Korniza të varura me rrëfime të grave, ngrysën shumë fytura të të pranishmëve të shumtë, të cilat, kishin një fuqi të madhe të kthimit në kohë.

Pjesë e kësaj ekspozite ka qenë edhe historia e Vasfije Krasniqi Goodman, gruaja e cila themeloi kampanjën ‘Bëhu zëri im’ kundër dhunimit të grave dhe u bë zëri i grave të shumta që nuk guxonin të flisnin për përvojat e tyre traumatike gjatë luftës.

Ndërkohë, pas ekspozitës së Eliza Hoxhës  ka vazhduar më  pas“Pas asaj” një preformancë e jashtëzakonshme nga artistet Agnes Nokshiqi dhe Mjellma Goranci, të cilat kanë trguar për ndjeshmërinë dhe rolin që ka luajtur feminizmi në përmirësimin e jetës së gruas. Performanca është quajtur “Pas Asaj …” për ta kujtuar sakrificën e gruas shqiptare dhe të ndërtuar një jetë më të mirë për gratë pas gjithë asaj. Fjala e fundit që shihet në këtë pjesë teatrale është ‘hope’, pra shpresë, performancë kjo që brenda mbrëmjes u dha për dy herë me radhë, për shkak të numrit të madh të të interesurave. Kurse krejt kjo mbrëmje ka vazhduar me  artisten afrikane të ishujve Barlavento, në Teatrin Dodona.

Sipas organizatorëve dhe drejtoreshës së Artpolis Zana Hoxha Krasniqi,  Festivali feminist FemArt ka për qëllim t’i vetëdijësojë gratë duke i nxitur ato që të marrin pjesë në vendimarrje, në pronësi, që t’i thyejnë barrierat e gjykimeve dhe të paragjykimeve të shoqërisë kosovare, siç ka bërë për vite me radhë.

Motoja e këtij edicioni të FemArt është “Me Liri kundër Marres” këtë herë ka prekur shtatëshin fatlum duke shënuar herën e shtatë të mbajtjes së këtij festivali, i cili do të zgjasë poashtu shtatë ditë.

Në ditët në vazhdim do të organizohen disa konferenca, tryeza dhe mbrëmje poetike me gra dhe vajza të cilat i kanë gdhendur pilarët e Feminizmit në Kosovën e pasluftës. FemArt është festival feminist që ka për qëllim ngritjen dhe vetëdijesimin e grave dhe vajzave lidhur me paragjykimit gjinore. FemArt organizohet nga Qendra për art dhe komunitet – Artpolis, të cilët sivjet kanë shënuar gjithashtu dhjetë vjetorin e themelimit.Rrona Jaka/ KultPlus.com

Të ngjajshme