“Bebëzat e Mallit”

15 Dhjetor, 2023 - 6:24 pm

Nga Vesa Sahatçiu

Si flasim për humbjen? Si flasim, si mendojmë dhe si e përfaqësojmë humbjen kolektive? Humbjen që përfshinë jo vetëm individët, por komunitetet e tëra?

Që nga Lufta e Dytë Botërore e këtej, në masë të madhe është shkruar dhe diskutuar për mënyrat e kujtesës së krimeve të shkaktuara gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për më tepër, një sërë metodologjish dhe qasjesh u zhvilluan për t’i adresuar shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, nëpër gjeografi të ndryshme, ku luftërat e kryera ishin të pabarabarta për nga natyra, dhe shkaktuan humbjen e shumë jetëve të pafajshme; shpesh jetëve të grave dhe të fëmijëve.

Muzetë dhe vendet e kujtesës u krijuan si hapësira që e bëjnë të dukshme agjencinë e viktimave dhe të të mbijetuarve; hapësira të rrëfimeve individuale, të tragjedive dhe të traumave të luftës. Hapësirat e tilla shërbyen fillimisht si hapësira të kujtesës, si hapësira për të mos harruar. Së dyti, ato shërbyen si hapësira të sigurta ku shpalosen rrëfimet e luftës. Dhe së fundi, këto hapësira na bëjnë të mundur, neve shikuesve (vështruesve), të bëhemi dëshmitarë të rrëfimeve të luftës. Për shkak të këtyre hapësirave të krijuara, ngjarjet, të vërtetat dhe rrëfimet e traumës kolektive, bëhen të dukshme, në mënyrë që kujtesa për të kaluarën, për rrëfimet të cilat i dëshmojmë, të bëhen më të shtresuara dhe më të nuancuara.

Ekspozita “Bebëzat e Mallit” zë fill në hulumtimin e jashtëzakonshëm empirik, të botuar nga forumZFD si libër me titullin “Fëmijëri të Rrëmbyera”. Hulumtimi ndërtohet nga intervista dhe fotografi të dymbëdhjetë familjeve, dhjetë prej të cilave kanë humbur një apo më shumë fëmijë gjatë luftës së vitit 1999, ose menjëherë pas, në rrethana që ndërlidhen me luftën. Dy nga rrëfimet janë të dy fëmijëve që e kanë humbur njërin prind në luftë, ndërsa nga dymbëdhjetë rrëfimet, dy prej tyre janë të familjeve të komunitetit serb dhe dy të atij rom. Disa nga këta individë janë akoma të pagjetur.

Intervistat në hulumtim e përçojnë një tingull të drejtpërdrejt në mënyrën se si tregohen rrëfimet. Ato janë të gjalla, të sinqerta dhe fliten në një gjuhë që është e qartë dhe efektive. Për më tepër, është gjuhë që flet për pozitën socio-ekonomike të këtyre familjeve, duke e bërë gjuhën shënjues tejet efektiv të kontekstit kulturor, social dhe ekonomik të të intervistuarve.

Në intervista, janë tri elemente që duket se rishfaqen. Këto elemente duket se funksionojnë si mekanizma për ballafaqimin me traumën e humbjes së fëmijës apo të anëtarit të familjes, dhe të traumës së luftës në përgjithësi. Elementi i parë janë ëndrrat që kanë anëtarët e familjes (zakonisht nëna) me fëmijën apo familjarin e humbur. Në të shumtën e rasteve fëmija në ëndërr është i lumtur, i gëzuar dhe në rehati. Elementi i dytë është përtërirja e emrave të fëmijëve të vrarë te fëmijët e lindur më vonë, si formë kujtese. Dhe së fundi, është elementi i potencialit të paplotësuar të fëmijës së humbur, shpesh i artikuluar me ton tejet superlativ përmes së cilit prindërit e përshkruajnë fëmijën. Të trija këto elemente duket se funksionojnë si mënyrë e ruajtjes së kujtimit dhe si veprime, thuajse rituale, me të cilat familjet gjejnë ngushëllim dhe kërkojnë të bëjnë paqe me humbjen e fëmijës, apo të anëtarit të familjes.

Këto elemente janë baza tematike e kësaj ekspozite, që duket se funksionojnë si mënyra për të integruar emocionalisht dhe psikologjikisht atë çfarë u ka ndodhur, dhe si mënyra për t’u ballafaquar me ngjarjet që familjet i kanë përjetuar.

Fotografitë në ekspozitë funksionojnë si dokumentim të rrëfimeve të këtyre familjeve. Ato gjithashtu tregojnë se si familjet i ruajnë kujtimet për më të dashurit e tyre, duke ruajtur veshje, fotografi të vjetra dhe objekte të ndryshme, që i mbajnë gjallë kujtimet për ta. Shumë shtëpi krijojnë hapësira kujtese, ku vendosen fotografitë e familjarëve të vrarë ose të zhdukur me dhunë, duke krijuar në njëfarë mënyre memoriale brenda shtëpive të tyre.

T’i kthehemi pyetjes sonë fillestare; si flasim për humbjen kolektive? Ndoshta, hapi i parë është ofrimi i hapësirave ku këto rrëfime mund të tregohen. Hapësira ku mund të ndodhë dialogu; hapësira të dukshmërisë dhe hapësira ku këto kujtime materializohen dhe vihen në dispozicion për të gjithë. Këto rrëfime duhet të tregohen dhe të dëshmohen nga të gjithë ne, në mënyrë që të bëhen pjesë të vetëdijes dhe kujtesës sonë kolektive.

Ekspozita “Bebëzat e Mallit” e ka marrë titullin nga një poezi dhe libër me të njëjtin titull të poetit modern shqiptar të shekullit të 20-të, Enver Gjerqekut, i njohur për sonetet dhe poezitë e tij romantike, e lirike./KultPlus.com

Të ngjajshme