‘Beyond Walls’ në Cape Town me thirrje për bashkim

27 Janar, 2021 - 7:00 pm

Një pamje ajrore tregon afreskun gjigand të artistit francez, Saype, të bërë për hapin e nëntë të projektit të tij “Beyond Walls” në Langa, Cape Town të Afrikës së Jugut.

Në një rruginë zallishte me bashka bari në paralagjen e varfër Philippi në Cape Town, artisti francez Saype kontrollon një imazh të shtresëzuar para se t’i shtojë hollësi afreskut të madh të bërë me sprej në tokë, pjesë e një projekti global me të cilin shpreson të farkëtojë bashkim në një botë gjithnjë e më të polarizuar.

I drejtuar nga kapëse të drunjta, Saype ndërton me përpikëri imazhin përfundimtar të dy duarve që shtrëngojnë llërat e njëra-tjetrës në një kënd të rrahur nga erërat në një fabrikë të vjetër çimentoje dhe të rrethuar nga një det rrëgallash të drunjta e të llamarinta.

Në serinë e tij “Beyond Walls”, artisti 31-vjeçar i grafiteve lidh artin e rrugëve me atë të tokës në qytete tejendanë botës – shpesh duke paraqitur duart e dy njerëzve që shtrëngojnë parakrahun e njëri-tjetrit.

“Ideja është që të krijohet më i madhi zinxhir njerëzor, për të folur mbi përbashkësinë dhe sot në Cape Town ky është hapi i nëntë në këtë projekt”, ka thënë për “Reuters” Saype, e që në fakt kishte lindur me emrin Guillaume Legros, transmeton KultPlus.

“Për mua është mjaft interesante të flitet këtu për përbashkësinë, për shkak se unë mendoj se kjo ishte shtyllë e ëndrrës së Mandelas”, ka thënë ai për të parin president të zgjedhur në mënyrë demokratike në Afrikën e Jugut, Nelson Mandela, kur e bëri të parin fjalim publik në Cape Town pasi kaloi 27 vjet në burg duke luftuar aparteidin.

I zgjedhur si president më 1994, Mandela u rrek të fuqizonte ripajtimin mes pakicës së bardhë dhe shumicës zezake në vitet që pasuan diskriminimin racor.

Duke përdorur një përzierje miqësore ndaj ekologjisë që bën bashkë shkumësin, qymyrin dhe ujin me një proteinë qumështore si ngjitës që mundëson pikturën të thadrohet në tokë, Saype ka bërë piktura me sprej të imazheve të biodegradueshme në kopshtet nga Yamassoukro në Bregun e Fildishtë deri në Champ de Mars pranë Kullës Eiffel në Paris.

Vitin e kaluar ai bërë një afresk të madh të përkohshëm në kopshtin e zyrave evropiane të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë për të shënuar 75-vjetorin e themelimit të tyre. /Reuters/ KultPlus.com

Të ngjajshme