Blenard Azizaj, koreograf i veprës më të madhe të karrierës së Marina Abramovic

8 Gusht, 2025 - 2:11 pm

Këtë vjeshtë, artistja e njohur Marina Abramović do të sjellë në skenë një shfaqje provokuese që bashkon seksin, ritualin dhe mbinatyroren, përmes një rikrijimi skenik të riteve erotike ballkanike. 

Balkan Erotic Epic (2025) është vepra më e re e saj, e porositur nga Factory International – organizata kulturore me bazë në Manchester, Angli, që organizon edhe Manchester International Festival. 

Shfaqja do të ketë premierën më 9 tetor në Aviva Studios dhe do të qëndrojë në skenë deri më 25 tetor. 

Me mbi 70 performues, kjo do të jetë vepra më e madhe e Abramović deri më sot, dhe për koreograf ka koreografin shqiptar Blenard Azizaj, i cili do të jetë edhe pjesë e performancës.

Balkan Erotic Epic është e rrënjosur në folklorin dhe zakonet e lashta ballkanike, duke eksploruar tema si dëshira, spiritualiteti dhe trupi. 

Përmes 13 skenave të koreografuara dhe vignetave interaktive, performuesit – kërcimtarë, këngëtarë dhe muzikantë – do të shpalosin një përvojë të thellë emocionale dhe fizike. 

Pamja nga arkiva e Marina Abramovic

“Në kulturën e sotme, gjithçka erotike e etiketojmë si pornografi,” tha Abramović në një deklaratë për shtyp. “Balkan Erotic Epic është vepra më ambicioze e karrierës sime. Kjo më jep mundësinë të rikthehem tek rrënjët dhe kultura ime sllave, të shoh pas tek ritualet e lashta dhe të përballem me seksualitetin në lidhje me universin dhe pyetjet pa përgjigje të ekzistencës sonë. Me këtë projekt, dua të shfaq poezinë, dëshpërimin, dhimbjen, shpresën, vuajtjen – dhe të reflektoj mbi vdekshmërinë tonë.” 

Ritualet që do të performohen përfshijnë skena si “Riti i Pjellorisë”, ku performuesit do të përdridhen mbi tokë si një thirrje për pjellori, apo “Të Frikësosh Perënditë”, që rikrijon një rit ku njeriu zhvesh trupin ndaj qiellit për të larguar stuhitë. Në një tjetër skenë të titulluar “Masazhimi i Gjirit”, gratë performuese do të realizojnë gjeste simbolike për të “zgjuar tokën” pranë vendeve të varrimit, sipas njoftimit për shtyp. 

Abramović do të mbajë një ligjëratë më 11 tetor në Aviva Studios, për të shënuar premierën botërore të shfaqjes. Pas kësaj, Balkan Erotic Epic do të udhëtojë në vende të tjera, duke nisur nga Barcelona në janar 2026. 

“Kjo vepër e re performative ofron një mundësi që nuk duhet humbur për publikun – për të përjetuar kapitullin e radhës të jetës krijuese të Abramović: e guximshme, përfshirëse dhe në një shkallë krejt të paprecedentë,” tha John McGrath, drejtor artistik dhe CEO i Factory International. Ndërkohë, Abramović ka në plan edhe projekte të tjera, përfshirë lançimin e një projekti të ri NFT, për të cilin foli në The Artsy Podcast./ KultPlus.com 

Të ngjajshme