3 Maj, 2025 - 11:28 am
Ylli i muzikës, kantautori amerikan, Bob Dylan do të hapë në Londër një ekspozitë me piktura që, sipas tij, janë krijuar me rezonancë emocionale.
Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, 83 vjeç, do të sjellë 97 vepra origjinale që paraqesin personazhe dhe objekte në galerinë ”Halcyon”.
Ekspozita e tij personale “Point Blank”, e cila kap njerëz që luajnë instrumente, çifte, sportistë burra dhe gra, së bashku me dhoma dhe vende, bazohet në skica origjinale të krijuara midis viteve 2021 dhe 2022.
”Këto vizatime u pikturuan më pas me ngjyra, për të krijuar entitete të gjalla, që marrin frymë dhe kanë rezonancë emocionale, ngjyra të përdorura si armë dhe përcaktuese të humorit, një mjet për të treguar histori”, thotë Dylan.
“Ideja nuk ishte vetëm të vëzhgoja gjendjen njerëzore, por të hidhesha në të me një urgjencë të madhe”, tha ai.
Disa nga vizatimet janë ripunuar si studime monokromatike me blu, të kuqe dhe neutrale, të cilat mund të kujtojnë Periudhën e hershme Blu të Pablo Picasso-s.
Kate Brown, drejtoreshë dizajni në galerinë Halcyon, tha se “këto vepra në letër ndihen si kujtime, dritare të paprekshme në jetën dhe imagjinatën e njërit prej rrëfimtarëve më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë”.
Paul Green, president dhe themelues i ”Halcyon”, tha se “kanë kaluar gati 18 vjet që kur ‘Halcyon’ filloi të punonte për herë të parë me Bob Dylan dhe ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme të shikosh këtë ikonë kulturore të zhvillohet në një artist vizual kaq të respektuar dhe të rëndësishëm nga kritika”.
Dylan, i cili ka fituar 10 çmime Grammy dhe është nominuar 38 herë, është një nga kompozitorët më të vlerësuar dhe u fut në Sallën e Famës së Rock and Roll në vitin 1988.
Këngët e tij janë regjistruar më shumë se 6 000 herë, me artistë të ndryshëm si ”The Byrds”, Jimi Hendrix dhe Adele, që kanë gjetur sukses si komercial ashtu edhe kritik me këngët e interpretuara nga artistë të tjerë.
Dylan e filloi karrierën e tij në vitin 1962 me këngën ”Mixed-Up Confusion”, e cila nuk arriti të renditej në top listat e Britanisë së Madhe ose SHBA-së – përpara se të bëhej yll me një sërë këngësh të tjera në vitin 1965, duke përfshirë ”The Times They Are A-Changin”, ”Subterranean Homesick Blues” dhe ”Like A Rolling Stone”./ KultPlus.com