Bota në një rreth të përsosur, Boshnjaku mjeshtërisht hap ekspozitën e re

4 Shkurt, 2024 - 9:00 am

Uranik Emini

Në sferën ku bashkohen arti dhe shkenca, Skender Boshnjaku, neuropsikiatër dhe profesor i shquar në Universitetin e Prishtinës, ka hapu një “dritare” artistike magjepsëse. Ekspozita e tij e fundit, “Bota ime në rreth”, shfaq talentin e tij më pak të njohur si artist, duke ofruar një eksplorim të mahnitshëm të elegancës dhe fuqisë së thjeshtësisë, shkruan KultPlus.

Sipas Shkëlzen Maliqit, në këtë ekspozitë, Boshnjaku prezanton vepra arti gjeometrike abstrakte të frymëzuara nga modelet e rrethit. Ajo që e bën artin e tij unik është qasja e tij e riciklimit. Në “Bota ime në rreth”, të organizuar në galerinë Hani i 2 Roberteve, Boshnjaku u jep jetë këtyre simboleve, duke kërkuar pastërtinë dhe harmoninë në format e tyre. Është një metaforë për bukurinë e thjeshtësisë dhe të plotësisë në jetë.

Çdo pjesë në këtë ekspozitë pasqyron magjepsjen e Boshnjakut me saktësinë gjeometrike të rrathëve. Format e përsëritura simbolizojnë rinovimin dhe riciklimin, duke i shtuar edhe më shumë thellësi pamjes vizuale.

Të gjithë ata që do të kenë fatin ta vizitojnë ekspoztën e “Bota ime në rreth” do të magjepsen në eksplorimin e pastërtisë dhe harmonisë nga artisti brenda këtyre formave të thjeshta.

“Muj me thënë që krahas punës profesionale që kam pas, mbi 40 vite, po ashtu përafërsisht po afrohem edhe 40 vjeçarin tjetër jom marr së pari me shkrime, e më pas me krijmtari. Unë kam hap shumë ekspozita, do ta veçoja atë në Londër, për grafitet serbe kundër shqiptarëve”, thotë Boshnjaku.

Sipas tij, hapja e një ekspozitë është shumë e veçantë, por kjo e 1 Shkurtit është diçka më e veçantë se të tjerat, për shumë arsye.

“Është një ndjenjë e veçantë të hapësh ekspozitë. Kjo ekspozitë është e veçantë për shumë arsye, përputhet me një vjetor timin 40 vjeçar, përputhet me përvjetorin e punës së galerisë “Hani i 2 Robertëve”, edhe është një veçanti që kurator i imi është Shkëlzen Maliqi. Akoma nuk mund ta besoj që ka shkru për mu. Duhet të jem modest dhe ta pranoj, duke i thënë mos ke shkru tepër, mu dok që ka shkru shumë për mua. Qëllimi jem jetësor është me i mledhë lulen e qytetërimit të Prishtinës”, thotë Boshnjaku për KultPlus.

Në anën tjetër, artistja Zake Prelvukaj e ka vlerësuar tej-mase profesorin Boshnjaku, por më së shumti e ka vlerësuar artin e tij.

“Kur je e re në moshë, më së shumti të impresionon dikush që di të shkruajë. Për mu ka qenë e veçantë me i pa shkrimet që i ka bërë për mua në atë kohë krijuesi Skender Boshnjaku, i cili ma ka hapur një rrugë për të punuar. Nuk është ndarë prej punës. Ka pasur rënie e ngritje shumë të mëdha. Ka punuar jashtë arteve pamore e aplikative, si neuropsikiatër. Mendoj se këto punime janë vetë mjekësia dhe simbolet e përditshme që ka përdorur, janë të karakterit universal”, shtoi artistja Prelvukaj.

Boshnjaku na fton të gjejmë rrethet tona të përsosmërisë në një botë komplekse, duke e bërë këtë ekspozitë një domosdoshmëri për të apasionuarit pas artit, të cilët do të kenë mundësi ta shohin ekspozitën deri më 22 Shkurt. /KultPlus.com

Të ngjajshme