‘Brand New Ancients’ nga Dardan Zhegrova, udhëtim intim nëpër labirintin e kujtimeve jetësore

9 Dhjetor, 2023 - 4:30 pm

Flonja Haxhaj

Artisti autodidakt, Dardan Zhegrova, mahnititi të enjten publikun në Galerinë Kombëtare të Kosovës teksa prezantoi ekspozitën e tij të parë në këtë institucion ‘Brand New Ancients’. Kjo ekspozitë vjen si një riformim i kujtimeve të fëmijërisë e që shndërrohen në vepra, me qëllim që ato të ruhen si vend e jo vetëm si  kujtime, shkruan KultPlus.

Veprat e paraqitura në medium të ndryshme, e zhysin publikun në një udhëtim intim, ku gjithësecili ka mundësinë t’i pranojë në mënyrën se si ai dëshiron t’i shoh, pa u përcaktuar nga artisti.

‘Brand New Ancients’ vjen e ndërthurur në katër kapituj që definon periudha të ndryshme jetësore e të krijimtarisë artistike. Kapitulli i parë, Labirinti, i zhyt vizitorët në kujtimet e fëmijërisë së artistit përmes folësve që transmetojnë zërin e Zhegrovës dhe efekteve zanore të zgjedhura me kujdes, të vendosura brenda një labirinti prej pëlhure të tejdukshme bojë vjollce. E kjo të drejton për në kapitullin  “Entitetet”, skulpturat e Zhegrovës që  simbolizojnë arratinë rinore, që i ngjan kafshëve lodra prej druri nga fëmijëria e tij. Vizatimet adoleshente të artistit, të përshkruara si krijesa që shërbejnë si arratisje dhe çelësa për një botë tjetër, gjejnë shprehje në këto figura antropomorfe.

Kapiturlli i tretë të drejton tek një kështjellë e pikturuar me ngjyrë të bardhë, e vendosur strategjikisht mbrapa instalacioneve çorientuese, që shërben si sipërfaqe strehimi dhe projeksioni dhe dhoma e fundit  “Oneness’, një dritë e fuqishme që reflekton në dysheme.

Në hapjen e ekspozitës që kishte bërë bashkë shumë artdashës, për KultPlus foli vetë artisti Dardan Zhegrova, i cili e përshkruan këtë ekspozitë si një udhëtim nëpër labirintin e krijimtarisë së tij artistike nëpër periudha të ndryshme.

“E gjithë ekspozita është prodhim i ri, mirëpo skulpturat janë vizatime që i kam bërë në vitin 2007 dhe në njëfarë mënyre është si një udhëtim nëpër hapësirë ku e kaluara po e informon të tashmën dhe po e drejton të ardhmen. Vizatimet janë prej vitit 2007, janë transformuar në skulptura në të tashmen dhe çka ka qenë e rëndësishme për mua është që shikuesi me e pasë një eksperiencë intime nëpër gjithë ekspozitën duke filluar nga labirinti, që e drejton shikuesin nëpër të gjithë ekspozitën”, u shpreh Zhegrova.

E pranishme në këtë hapje, kuratorja e ekspozitës, Cathrin Mayer tha për KultPlus se kur e takoi për herë të parë artistin ishte një moment shumë i ndjeshëm kur i ka treguar se është autodidakt, sepse nuk është trajuar si artist por si gazetar.

“Duke u ndërlidhur me aftësinë e tij për të mësuar dhe kuptuar gjërat, mu duk shumë frymëzuese dhe kuptimplotë. Për këtë ngjarje ai do të eksplorojë kujtimet e fëmijërisë dhe specifikisht skulpturat në dhomën e dytë. Ato quhen entitete. Janë si personifikim për miqtë, sepse ai ndihej shumë i vetmuar në shkollë. Ato janë shoqëria e tij, ndërkohë që format janë interesante për formën e tyre. Mund të lexosh shumë gjëra në to. Nuk kanë gjini, nuk janë njerëz.”, u shpreh Mayer.

Pjesë e rëndësishme e ekësaj ekspozite është edhe labirinti në të cilën kalojnë publiku për të dalë në ekspozitë, e kjo sipas kuratores, ka një simbolikë të veçantë.

“Labirinti është simbolikë e kompaktit të kujtimeve. Ato nuk janë koherente. Mund të shkosh në një drejtim, të kujtohet diçka, por ajo fshihet. Por nganjëherë të duhet se është një kujtim, por është diçka e momentit. Ka të bëjë më shumë me mendimin se në çfarë mund të kthehen kujtimet, të shkruara në material.”, tha mes tjerash Mayer.

Ndërkaq, kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Hana Halilaj tha se është shumë e lumtur që punën e artistit Zhegrova ta sjellin për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

“Kjo është ekspozita e parë institucionale e Dardanit, që është një hap i rëndësishëm në praktikën e tij, mirëpo edhe për ne është e rëndësishme që të sjellim përmes punës së tij narrativa të reja e më ndryshe, të tematikave që Dardani i trajton me veprat e prodhuara. Kësaj radhe inspirimi i shumë punëve ka ardhur prej fëmijërisë duke nisur nga aty, mirëpo është edhe vazhdimësi e punëve të tij që i ka krijuar më herët”, tha Halilaj, duke shtuar më tutje se ky është një momentum që po e përmbyll një cikël të punëve të cilat i ka prezantuar në mediume dhe material të ndryshme.

Ju kujtojmë ekspozita do të jetë e hapur deri më 4 janar 2024./KultPlus.com

Të ngjajshme