Brenda shkollës sekrete të mozaikut në Itali

14 Korrik, 2025 - 2:45 pm

E fshehur në qytetin e qetë Spilimbergo, në rajonin verilindor të Friuli-Venezia Giulia, ndodhet një nga institucionet më të veçanta të artit në botë, “Scuola dei Mosaicisti del Friuli”, shkolla e vetme në botë e përkushtuar plotësisht artit të mozaikut. Për më shumë se një shekull, kjo shkollë ka ruajtur e zhvilluar një traditë që shkon pas në kohë deri te Mesopotamia, Roma e Lashtë, Bizanti dhe bota islame, duke edukuar breza të krijuesve të mozaikëve me mjeshtëri të rrallë.

Sot, ajo është institucioni i vetëm akademik në botë që i është kushtuar plotësisht artit të mozaikut. Studentë të të gjitha moshave, nga maturantë e deri te artistë në mes të karrierës, vijnë nga e gjithë bota për t’u regjistruar në programin e saj intensiv trevjeçar. Gjatë kësaj kohe, ata mësojnë teknikat historike të mozaikut, nga modelet e ndërlikuara greko-romake deri te kompozimet ndriçuese byzantine, përpara se të eksperimentojnë me dizajne më bashkëkohore dhe të lira në formë.

Në vitet e fundit, shkolla është shndërruar edhe në një destinacion më vete, duke tërhequr udhëtarë të apasionuar pas dizajnit që ngelen të mahnitur nga bota unike e mozaikëve. Të interesuarit mund të vizitojnë ambientet e saj përmes tureve publike apo private. Rreth 40,000 vizitorë e bëjnë këtë çdo vit, duke e kthyer Scuola Mosaicisti në një nga vendet më të vizituara në rajonin e Friulit.

Ndërsa rreth 40 studentë pranohen çdo vit në programin trevjeçar, jo më shumë se 15 prej tyre e përfundojnë të gjithë kurrikulën, duke fituar titullin maestri mosaicisti (mjeshtër mozaiku). Nga këta, vetëm një grup i përzgjedhur prej gjashtë vetash vazhdojnë një vit të katërt  një lloj masteri për të përmirësuar edhe më tej aftësitë e tyre dhe për të thelluar mjeshtërinë në këtë art të veçantë.

Në të vërtetë, krijimi i mozaikut është një mjeshtëri jashtëzakonisht precize. Ai kërkon që artisti të vendosë me kujdes qindra, e madje mijëra, copëza të vogla të quajtura tesserae (që mund të jenë të vogla deri në 0.5 cm), për të formuar modele të ndërlikuara dhe skena me pamje të gjallë. Të punuara nga mermeri, xhami, smalto (pllaka xhami të errëta dhe të padepërtueshme) dhe madje edhe nga guaskat, këto inkrustime të vogla kërkojnë mjeshtëri të hollë dhe një ndjeshmëri intuitive ndaj ritmit dhe vendosjes.

Siç vuri në dukje edhe Brovedani, kjo është gjithashtu një punë thellësisht bashkëpunuese. Mozaikistët zakonisht punojnë individualisht në pjesë të veçanta të një kompozimi të madh, por efekti i vërtetë i punës së tyre shfaqet vetëm kur shihet në tërësi. “Është një zanat që, në një mënyrë, të kërkon të ‘zhdukësh’ veten,” tha Cristina de Leoni, mësuese në vitin e tretë. “Një pllakatë e vetme nuk thotë shumë, por së bashku me të tjerat, ajo krijon një vepër arti. Nuk ka vend për ego në krijimin e mozaikut.”

Duke hedhur një vështrim mbi historinë e pasur të këtij arti  që daton që nga Mesopotamia në mijëvjeçarin e 3-të p.e.s. dhe shtrihet përtej kombeve e kulturave, nga grekët te majat, nga Perandoria Bizantine te bota islame, bëhet e qartë ajo që tha Cristina de Leoni. Në artin e mozaikut nuk ka Giotto apo Raphael, as Mona Lisa të vetme. Ky formë shprehjeje ka qenë gjithnjë e mbështetur mbi mjeshtëri anonime, duke ecur në një vijë të hollë mes artit dhe artizanatit.

Kjo është edhe më e vërtetë në Friuli-Venezia Giulia, ku mozaikistët nuk pushuan kurrë së zhvilluari mjeshtërinë, edhe pse ajo doli nga vëmendja që nga periudha e Rilindjes. Me bollëkun e gurëve nga Tagliamento (lumit kryesor të Friulit) dhe lidhjet e ngushta kulturore me Venecian, një qytet që për shekuj me radhë ka qenë në epiqendër të artit dhe mjeshtërisë europiane, rajoni u bë në mënyrë të heshtur një bastion i traditës së mozaikut, me artistë të kërkuar në mbarë kontinentet.

Në shekullin XIX, artisti friulan Gian Domenico Facchina ndihmoi në futjen e mozaikut në epokën moderne, duke shpikur metodën rovescio su carta (mozaiku me kthim mbi letër), që lejonte montimin e paneleve jashtë vendit të instalimit, një revolucion për përmasën dhe shpejtësinë e realizimit. Foaerja e Opéra Garnier në Paris ishte vendi i parë ku kjo teknikë u shfaq për publikun.

Që prej atëherë, mozaikistët friulanë, shumica e të cilëve janë formuar në Spilimbergo, kanë lënë gjurmë në mbarë botën: nga kompleksi sportiv ikonik Foro Italico në Romë, te stacioni i metrosë në Qendrën Botërore të Tregtisë në New York, nga kupola e Kishës së Varrit të Shenjtë në Jeruzalem, deri te galeritë e Tokios. Këto vepra janë dëshmi e një tradite që vazhdon të evoluojë, pllakatë pas pllakatë.

“Dyshimi që mbart mozaiku e bën atë pafundësisht magjepsës,” thotë Purnima Allinger, një studente e vitit të tretë që la pas një karrierë në marketing në Berlin për t’iu përkushtuar mozaikut. “Është një zanat i saktë dhe meditativ, por njëkohësisht shprehës dhe emocional si arti. Gjithmonë kalon nga njëra gjendje në tjetrën – dhe kjo të mban tërësisht të përfshirë.”

Amos Carcano, një maestro mosaicista nga Zvicra, e konfirmon këtë ndjesi. “Punon me duar, por njëkohësisht je gjithmonë në proces shpikjeje, luan me teksturën, ngjyrat dhe modelet. Mozaiku bashkëkohor i shtyn këto kufij edhe më tej. Është traditë, por njëkohësisht e hapur dhe e lirë.”

Aktualisht, Carcano është një nga 10 ish-studentët që po punojnë në një nga veprat më ambicioze të shkollës deri më sot: një dysheme mozaiku prej 1,265 metrash katrorë në oborr, që paraqet florën dhe faunën karakteristike të Friulit, një projekt që pritet të zgjasë më shumë se një vit.

Nuk janë vetëm maestri-t që krijojnë për shkollën. Të gjithë ata mozaikë që pashë gjatë vizitës sime? Janë vepra të studentëve të mëparshëm dhe atyre aktualë. “Ne e mendojmë shkollën si një bottega – një punishte,” thotë Danila Venuto, pedagoge e historisë së mozaikut. “Dhe në një punishte, mëson duke punuar. Është krejtësisht e natyrshme që studentët të vihen në punë sapo fillojnë të mësojnë ABC-në e mozaikut. Ky është një zanat që mësohet dhe mbahet gjallë vetëm përmes praktikës.”

Dhe gjithnjë e më shumë, mozaiku mund të mësohet edhe nga vizitorët. Shkolla ofron corsi brevi,  kurse të shkurtra që variojnë nga intensive katërditore deri në programe njëjavore, për t’u dhënë udhëtarëve një hyrje praktike në artin e mozaikut.

 “Njerëzit nga Spilimbergo,  dhe nga i gjithë Friuli, janë shumë krenarë për këtë traditë shekullore,” thotë Danila Venuto. “Bërja e mozaikut është pjesë e ADN-së sonë kulturore, një trashëgimi e vërtetë friuliane.”/ KultPlus.com

Të ngjajshme