Burim Berisha sjellë të hënën ekspozitën “Dhe Jemi Ne”

22 Shkurt, 2019 - 10:00 pm

Të gjithë ne, jemi produktet e një milion momenteve, takimeve, përshtypjeve. Krijohemi, formesohëmi nga ata. Dhe të gjithë ne, i kemi individualisht mënyrat tona qysh me komunikue me botën. Disa me gojë, disa me grusht. Disa me mençuri, disa me bukuri. Disa me lapsin e shkrimtarit, disa me shpatullin e skulptorit.

Për Burim Berishën, arti nuk ka qenë asnjë profesion, biznes, ëndërr fantastike apo performancë e dashurisë; arti ka qenë dhe është gjuha e tij shprehëse, mënyra me të cilën ai e kupton botën dhe i shpjegon përshtypjet e tij. Vijat, ngjyrat dhe format skulpturale janë lëvizjet e tij në valle, janë fjalët e tij.

Ekspozita ‘Dhe Jemi Ne’ e cila hapet nga ora 19:00 të Hani i 2 Robertëve, flet për diçka esenciale në veprat e Berishës. Kur mendojmë për ‘estetikën’, nganjëherë i harrojmë rrënjët e kësaj fjale: jemi mësuar që diçka estetike t’i referohet imazhit, sipërfaqes, një koncepti vizual të bukurisë. Përkundrazi, estetika flet për përceptimet e ndjenjave: jo me karakteristikat e asaj që ne shohim, por me realitetin e krijuar derisa jemi duke e parë.

Jo me pamjen e jashtme, por me diçka brenda nesh: çfarë ne ndjejmë, dhe si e ndjejmë. Skulpturat e Burim Berishës edhe janë prodhim i ndjenjave të tij – shprehjet e ndjenjës së tij për realitetin e jetës – dhe në të njejtën kohë janë imazhet e njerëzisë tue ndje. Në këto fytyra ne shohim çdo emocion, çdo ekstrem të dhimbjes apo të pasionit. Ne shohim – ne vetë ndjejmë – nuancat e jetës. Dhe realiteti është ai që ndjehet. Si njerëz, jemi produkt i prekjeve të jetës, siç janë skulpturat. Të krijuar; të përpunuar; të thekur, të shtrembëruar; të formësuar.

Në fund të fundit, bëhet e pamundshme ndarja e imazheve të jetës nga ndjenjat e jetë… nga jeta në vetvete. Këto figura janë prodhime të jetës dhe janë shprehje të jetesës. Skulpturat pasqyrojnë ndjenjat njerëzore, dhe si ne njerëzit reagojmë. Skulpturat na pasqyrojnë. Ne kemi parë dhe ne jemi parë. ‘Dhe ndaj dhe’, thotë riti për varrim, kur kufoma kthehet ne burim. Dhe jemi ne./ KultPlus.com

https://web.facebook.com/events/2062407184056579/

Të fundit

Të ngjajshme