25 Maj, 2025 - 3:44 pm
Bazilika romake e Augustinianëve, urdhri fetar i Papa Leo XIV, strehon një pikturë ikonike të ”Virgjëreshës Mari” nga artisti shumë i shquar që revolucionarizoi përdorimin e dritës dhe errësirës në artin perëndimor, Caravaggio, shkruan AP.
Deri më 6 korrik, një ekspozitë e re me vepra të piktorit barok mund të vizitohet në Romë, duke ofruar një vështrim të përditësuar mbi marrëdhënien e tij me spiritualitetin.
Nga ”Madonna dei Pellegrini” në Bazilikën e Sant’Agostinos deri te ”Martirizimi i Shën Ursulës” që mbyll ekspozitën “Caravaggio 2025″, historianët e artit dhe anëtarët e klerit po nxjerrin në pah lidhjet midis besimit fetar dhe dritë-hijeve së Caravaggio-s.
«Është drita që na drejton drejt atyre që për të janë pikat kyçe të historisë. Përvoja jonë jetësore ka kuptim vetëm kur ndriçohet nga një dritë shpirtërore”, theksoi kuratorja e ekspozitës, Francesca Cappelletti.
Në ”Madonna degli Agostiniani”, që daton që nga fillimi i viteve 1600, ajo që i bie në sy vëzhguesit në nivelin e syrit janë shputat e pista të këmbëve të një çifti pelegrinësh të veshur me lecka, të gjunjëzuar para shfaqjes së Virgjëreshës Mari.
Ajo mbështetet shkujdesur në kornizën e një dere ndërsa mban në dorë Jezusin në madhësinë e një foshnjeje.
”Ne jemi larg përfaqësimeve të zakonshme të botës tjetër dhe të shumicës së Madonnave. Kjo e bën atë edhe më prekëse brenda spiritualitetit augustinian, sepse ilustron takimin midis natyrës së njeriut dhe mëshirës së Zotit”, theksoi rektori i bazilikës, Don Pasquale Cormio.
Ne e shohim dëshirën e Zotit për t’iu shfaqur njerëzimit si dikush që ecën përkrah të varfërve. Është e sigurt se kjo Virgjëreshë Mari është afër një njerëzimi ndoshta të lodhur, ndoshta të plagosur, sigurisht edhe të papastër dhe të shtypur nga jeta e përditshme”, shton Cormio.
Emri ”Madonna dei Pellegrini” i referohet jo vetëm dy figurave që qëndrojnë para Marisë, por edhe faktit se në këtë vend, që nga fundi i shekullit të 13-të, augustinianët kanë mirëpritur pelegrinët që shkojnë në Vatikanin aty pranë.
Spiritualiteti i një artisti rebel
”Në të vërtetë, pavarësisht jetës së tij aventureske dhe artit të tij realist, Caravaggio punoi për patronë prestigjiozë dhe të devotshëm, përfshirë një kardinal, dhe është dokumentuar se merrte pjesë në ritet katolike, përfshirë adhurimin eukaristik”, shtoi Zuccari.
Kjo nuk i shkon aspak reputacionit të “artistit të mallkuar” dhe transgresivit që Caravaggio (emri i plotë i të cilit ishte Michelangelo Merisi) ka fituar gjatë shekujve.
”Nuk e dimë çfarë mendonte Caravaggio, sepse ai nuk la asnjë shkrim. Jam i bindur, si ekspertë të tjerë, se Caravaggio ka spiritualitetin e tij”, shton ai.
Nga afërsisht 70 pikturat e Caravaggio-s, më shumë se 50 përshkruajnë shenjtorë ose skena biblike, madje edhe ato të destinuara për koleksione private dhe jo për kisha.
Ndër më të njohurat janë dy duzina piktura të ekspozuara në Palazzo Barberini, të cilat mbulojnë periudhën nga mbërritja e Caravaggio-s në Romë, rreth vitit 1595, deri në vdekjen e tij në vitin 1610.
Ekziston piktura e parë fetare e Caravaggio-s, ”Shën Françesku i Asizit”, i përshkruar në krahët e një engjëlli, ndërsa një nga shokët e tij të parë, Vëllai Leo, mezi shihet në errësirën përreth.
Në atë që është ndoshta piktura e fundit e artistit para se të vdiste në moshën 39 vjeç, dhe e fundit e ekspozuar në ekspozitën e re, Caravaggio portretizoi edhe veten.
Është burri që shikon, i habitur dhe me gojë hapur, nga errësira, ushtarin që sapo ka qëlluar një shigjetë në gjoksin e Shën Ursulës. /atsh/ KultPlus.com