Çifti gabimisht dëmton veprën që kushton gati 400 mijë euro

5 Prill, 2021 - 7:27 pm

Një çift i cili ka vizituar një galeri arti në një qendër tregtare në Seul të Koresë së Jugut, gabimisht ka pikturuar në veprën e realizuar nga grafisiti i njohur amerikan JonOne, ka bërë të ditur për “Reuters” kuratori i ekspozitës.

Çifti rreth të 20-ave ishte duke e vizituar ekspozitën më 28 mars, kur gabimisht i morën brushat dhe kovat – të cilat me qëllim janë lënë para veprës së JonOne – si shenjë që edhe publiku të kontribuonte në realizmin e veprës, ka shkruar “ABC News”.

Një kamerë vëzhguese ka kapur çiftin duke marrë ngjyrën dhe duke shtuar edhe punimin e tyre. Gjurmët e tyre mund të shihen edhe në punim.

Kang Wook, drejtori i “Contents Creator of Culture” që organizoi ekspozitën, ka thënë për “ABC News” se policia i ka shikuar kamerat e sigurisë dhe ka arrestuar çiftin në qendrën tregtare, por ata më pas janë lëshuar pa ndonjë akuzë.

“Ata kanë menduar gabimisht se kanë të drejtë që ta bëjnë këtë si qytetarë që duan të marrin pjesë në një aktivitet të tillë”, ka thënë Kang. “Aktualisht jemi në bisedime me artistin për ta rinovuar veprën”.

JonOne, emri i të cilit është John Andrew Perello, është i lindur në New York dhe aktualisht vepron në Paris. Artisti e realizoi veprën “Pa titull” në vitin 2016, para një audiencë në Seul. Gjatë pikturimit live para pesë vjetësh, JonOne me qëllim i mbajti kovat dhe brushat para veprës së finalizuar. E të njëjtat ishin lënë edhe në ekspozitën e tanishme, për të treguar historinë e veprës së JonOne-s.

Agjencia e JonOne-s i ka thënë “ABC News” se vepra ka vlerë 440 mijë dollarë (374 mijë euro). Një përfaqësues i artistit i ka thënë të njëjtit medium se artisti JonOne nuk e ka në plan të përgjigjet ndaj incidentit.

Sipas “Reutersit”, pasi që dy vizitorët pikturuan në grafitin e realizuar nga artisti, galeria e vuri një barrierë para saj me mbishkrimin: “Mos e prek”.

Fotolegj: Grafiti i artistit JonOne i fotografuar më 2 prill me mbishkrimin “Mos e prek”, që ishte shtuar pasi që çifti kishte pikturuar në të./ KultPlus.com

(Foto: Minwoo Park/Reuters)

Të ngjajshme