“Çka nëse një rrugëtim”, dokumentari që përfshinë edicionin e tretë të Autostrada Biennale

30 Nëntor, 2021 - 3:59 pm

Autostrada Biennale ka prezantuar filmin dokumentar të edicionit të 3-të “Çka nëse një rrugëtim…”, dokumentar që përfshinë gjithë rrugëtimin e kësaj bienale, që është mbajte përgjatë këtij viti, shkruan KultPlus.

Organizatorët, në të njëjtën kohë kanë bërë të ditur se Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza do të vazhdojnë rolin e tyre si bashkëkuratore edhe në edicionin e 4-të, e që do të mbahet në vitin 2023.

“Viti 2021 nuk ka qenë i lehtë për shumë njerëz në botë. Megjithatë, për ne që punojmë në fushën e artit bashkëkohor, gjetja e mënyrave për të realizuar dhe ndarë punën tonë me publikun është kthyer në një formë rikuperimi dhe mbijetese. Jemi të lumtur të ndajmë me juve filmin dokumentar i cili na kthen pas në punën tonë të madhe që e kemi bërë gjatë verës, e që e ka bërë të mundur edicionin Çka nëse një rrugëtim…”, thuhet në njoftimin e Autostrada Biennale.

Edicioni i 3-të i Autostrada Biennale Çka nëse një rrugëtim…u mbajt me sukses në Prizren, Prishtinë dhe Pejë gjatë verës së vitit 2021. Ekspozita ishte e thurur rreth ndërveprimit midis një mikpritësi dhe një mysafiri – domethënë veprat e artit u realizuan kryesisht në vend nga bashkimi i forcave të brendshme dhe të jashtme të imagjinatës artistike, ekspertizës, njohurive dhe kërkimeve lokale, në vend që të transportohen nga jashtë. Ata i krijuan komunitetet e tyre brenda dhe përreth. “Ne organizuam shumë biseda emocionuese dhe të vazhdueshme që mblodhën së bashku artistë, aktivistë, krijues, punonjës të kulturës, studiues vendas dhe ndërkombëtarë”, thuhet mes të tjerash.

KultPlus ju sjell dokumentari e këtij edicioni, ku janë të përfshirë edhe mbështetësit e këtij edicioni.

Të ngjajshme