Çmim rekord shitjeje për një vepër Banksy

23 Mars, 2021 - 9:10 pm

Një vepër e artistit britanik të artit të rrrugës Banksy, që vë në qendër të vëmendjes punonjësit e shëndetësisë, u shit në ankand me një çmim rekord prej gati 20 milionë eurosh, që do t’i dhurohen shërbimit shëndetësor britanik (NHS), i testuar rëndë nga pandemia e koronavirusit të ri.

Fillimisht, e vlerësuar në mes të 2,5 dhe 3,5 milionë stërlina, kjo vepër bardhezi me titull “Game Changer”, u shit më në fund në shtëpinë e ankandeve “Christie’s” më shumë se katër herë më shtrenjtë, për 16,75 milionë stërlina (19,45 milionë euro).

Kjo vlerë e tejkalon me shumë rekordin e mëparshëm të Banksy-t, i mbajtur nga “Parlamenti i Majmunëve”, që u shit në vitin 2019, gjatë një periudhe debati të nxehtë për Brexit-in, për 9,9 milionë stërlina (11,5 milionë euro).

E shitur në ditën kur BM përkujton përvjetorin e bllokimit të saj të parë (nga tre deri më sot), “Game Changer” paraqet një djalë të vogël, i cili, pasi hedh lodrat Batman dhe Superman në plehra, luan me një kukull infermiere të veshur me maskë dhe pelerinë.

Banksy e dhuroi fillimisht këtë punë në spitalin Southampton, në maj të vitit 2020, gjatë valës së parë të pandemisë COVID-19.

Një riprodhim i saj do të vendoset së shpejti atje./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme