Çmimi më i lartë botëror për arkitektin “low cost”, indianit 90 vjeç

8 Mars, 2018 - 1:34 pm

Çmimi më i lartë për arkitekturën për këtë vit i është dhënë indianit Balkrishna Doshi, i njohur në vendin e tij si filozof i zhvillimit urban.

Indiani Balkrishna Doshi, i njohur si arkitekti i ndërtesave “low cost”, është nderuar këtë të mërkurë me çmimin më të rëndësishëm të arkitekturës në botë. Doshi, 90 vjeç, është shprehur i emocionuar për vlerësimin me çmimin Pritzker, që e bën atë laureatin e parë nga India.

“Është diçka e mrekullueshme”, ka thënë ai nga shtëpia e tij në Ahmedabad, qyteti i protestës paqësore për pavarësinë e Indisë. Përveçse një arkitekt, Doshi është konsideruar edhe mjeshtër dhe filozof i planifikimit urban. Në biseda ai nuk i trajton ndërtesat e tij thjesht si objekte, por thotë se ato synojnë të nxisin sensin e komunitetit, paqen e brendshme dhe kthimin e qyteteve në hapësira për një shoqëri të shëndetshme.

Në karrierën e tij 70-vjeçare, Doshi nuk ka qenë shumë i interesuar për çmimet, edhe pse ka fituar shumë; dhe as për njohjen në rang ndërkombëtar, që është e kufizuar pasi ai nuk vë kurrë firmën e tij. Arkitekti fokusohet në çështje shumë më të mëdha, si mirëqënia sociale dhe qëndrueshmëria dhe në punën e tij përpiqet të ndërthurë kulturën me profesionin. “Arkitektura nuk është thjesht një objekt i ngurtë, por një organizëm i gjallë. Çështja është, a mund të sjellim jetë në atë që krijojmë? A do të kthehemi në shërbyes të një klienti, apo do të bëjmë diçka në dobi të shoqërisë?”, shprehet ai./ KultPlus.com

Të ngjajshme