‘Da Vinçi’ vjen në muzeun historik

23 Korrik, 2019 - 9:20 pm

Të shohësh të gjitha veprat në pikturë të mjeshtrit Leonardo da Vinçi nuk është aq e thjeshtë. Përveçse duhet të shëtisësh në  muze të ndryshëm, shpesh duhet të mbash radhë. Ato janë të ruajtura me shumë kujdes dhe duhet t’i vështrosh nga një distancë e caktuar. Për t’i parë ato ka lindur edhe ideja e kësaj ekspozite për t’i mbledhur të 17 piktura të tij së bashku. Sigurisht ato nuk janë origjinale. Janë riprodhime të një cilësie të lartë, por me përmasa origjinale.

“Leonardo Opera Omnia”, quhet kjo ekspozitë shëtitëse në të gjithë botën, me rastin e 500-vjetorit të mjeshtrit italian. Tashmë ndodhet edhe në Muzeun Historik Kombëtar. Mes tyre mund të shohim edhe Mona Lizën.

“Si t’ia bënim që të kishim këtu, të gjitha së bashku dhe në mënyrën më të kompletuar të mundshme. Ja! Nëpërmjet kësaj ekspozite që është një ekspozitë që bën bashkë antiken dhe bashkëkohoren. Sepse janë shtatëmbëdhjetë vepra të shpërndara në 11 muze. Të gjitha janë digjitalizuar me një rezolucion shumë të lartë. Janë ndriçuar me një sistem teknologjik, që zëvendëson absolutisht bukurinë e jashtëzakonshme të veprave të Leonardos”, shprehet Alessandra Bertini Malgarini, drejtore e Institutit italian të Kulturës.

“Xhokonda”, “Virgjëresha e Shkëmbinjve”, “Gruaja me fëmijë”, apo sigurisht “Darka e Fundit”. Kur flet për veprat e Leonaros, të vjen në mend edhe fati i çrregullt i tij. Shumë prej veprave të papërfunduara dot. Për organizatorët veprat e tij janë të  një vlere të lartë edukative, prandaj ato duhen aksesuar nga sa më shumë njerëz.

“Ministria e Punëve të Jashtme italiane dhe RAI janë akorduar për një projekt rivitalizimi me një vlerë të fortë edukative. E kam përzemër ta nënvijëzoj që këto vepra kanë një vlerë të lartë edukative”, thotë Alessandra Bertini Malgarini.

“Për shembull Darka e Fundit, e Leonardos, për ta parë në Milano ka një radhë të gjatë. Pastaj duhet të rrish vetëm pak minuta, sepse mund të dëmtohet. Këtu në fakt e kemi me përmasa origjinale. Mund të afrohemi. Mund të shohim me saktësi të gjitha detajet”, sqaron ajo.

Këto vepra janë shpërndarë në Afrikë, Poloni, do të shkojnë më pas në Algjeri etj. Ndërsa për publikun shqiptar do të qëndrojnë deri më 10 gusht, në Muzeun Historik Kombëtar.

Të ngjajshme