займ на карту онлайн потребительский кредит

Damien Hirst fut në izolim jetën dhe veprën

19 Maj, 2020 - 9:01 am

Damien Hirst ka pranuar se po kalon mirë jetën nën izolim teksa ai i punon heshtazi e pa ndihmës pikturat e tij me qershi të çelura. Artisti ka shpalosur të hënën një edicion të kufizuar të printeve me ylberë, të cilat do të shiten për të grumbulluar para për bamirësit që merren me koronavirusin. Hirst ka thënë se është përshtatur bukur mirë me kushtet e izolimit.

“A nuk është botë krejt tjetër. Befasohesh me atë se sa shpejt mësohesh me të”, ka thënë ai. “Shikoja në dollapin tim me aq shumë rroba dhe mendoja: përse i bleva këto kur tani vesh vetëm tuta?”

Një shofer e dërgon artistin çdo ditë në studion e tij në Londër. “Gjithçka është e menaxhueshme. Kam tre qen që i dua dhe kam një kopsht të madh. Më vjen keq për këdo që s’ka kopsht. Mendoj se qeniet njerëzore përshtaten shumë shpejt”.

Vepra e tij – piktura me qershi të mëdha të lulëzuara – po ecën më mbarë sesa para izolimit kur ai ndihmohej nga një ose dy asistentë, puna e të cilëve përfshinte pikturimin e përzier. Tani ai punon vetë, në qetësi.

“Dëgjoja më shumë muzikë kur kishte shumë njerëz e aktivitet. Pikturat po bëhen më të suksesshme, që është vërtet e çuditshme. Ndoshta është përqendrimi im, ndoshta kjo është arsyeja pse nuk po dëgjoj muzikë. Jam përhumbur disi në piktura”.

Printet e edicionit të kufizuar, të titulluar “Butterfly Rainbow” dhe “Butterfly Heart”, paraqesin imazhe me ngjyra të ndritshme të krahëve të fluturave, një prej motiveve të mirënjohura të Hirstit. Ato do të jenë të gatshme për shitje gjatë javës.

Ato po shiten përmes “HENI Editions” për 300 funte për versionin e vogël dhe 1 mijë për versionin më të madh, dhe do të jenë si mbështetje për “NHS Charities Together” dhe “Felix Project”, që është shpërndarësi më i madh i ushqimeve në Londër.

Justin Byam Shaq, themelues i “Felix Project”, ka thënë: “Ne i jemi kaq mirënjohës Damien Hirstit për shpalosjen e këtij printi tepër të bukur për Felixin. Optimizmi dhe vibranca e tij pasqyron qëndrimin tonë në këtë kohë krize”.

Një poster i “Butterfly Rainbow” mund të shkarkohet falas nga web-faqja e Hirstit.

Artisti ka thënë se ishte mirë që mundi të vinte diçka.

“Mendoj se punonjësit e NHS-së po bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Ata janë posi ushtarët, njerëzit po vdesin, por edhe ata vdesin. Të gjithë punonjësit në vijën e parë të frontit janë hëpërhë njerëzit më të mëdhenj në botë”.

Hirst po e shijon ndërveprimin me publikun në faqen e tij të Instagramit, duke afishuar përditësime e duke iu përgjigjur pyetjeve. Ojna e tij e fundit është të ofrojë fanelle të pikturuara për ata që i bëjnë komentet më të mira.

Ndjekësit kanë parë Hirstin të bëhet goxha i interesuar në dyshemenë e studios së tij që është mbuluar me piktura dhe ai ecën mbi to.

“Dyshemeja më intrigon. Duket sikur është një artist më i mirë se unë. Dyshemeja është e vërtetë dhe pikturimi është iluzion, kjo është ajo çfarë më intrigon për të”. / The Guardian / KultPlus.com

Të ngjajshme