Dean Lah: Renovimet në disa objekte ekzistuese në Kosovë nuk janë të mira

16 Gusht, 2019 - 4:00 pm

“Arkitektura nuk duhet të bëhet pa i sjellur diçka qytetit” – Dean Lah

Para 21 vitesh arkitektit slloven Dean Lah, i kishte lindur ideja për bashkëthemelimin e një studioje për projektim e dizajn që do t’i jepte arkitekturës jetë dhe kuptim të ri. E quajtur “Enota”, kjo kompani sllovene për arkitekturë përgjatë këtyre viteve është nderuar me 19 çmime, 11 prej të cilave janë vende të para.

E bashkëthemeluesi i kësaj studioje, Dean Lah, teksa po qëndronte në Kosovë, në kuadër të Festivalit Kosovar të Arkitekturës, në një intervistë për Ndërtimi.info foli për dallimet midis arkitekturës që bëhet tani dhe asaj që është krijuar vite më parë; për mënyrën e organizimit të hapësirave publike dhe mundësinë e krijimit të një arkitekture më të mirë.

Derisa tranzicioni në arkitekturë lë pas forma të ndryshme projektesh, sfidë e vazhdueshme për këtë fushë është rikthimi i vëmendjes për objektet që dikur e kanë pasur shkëlqimin e tyre.

Një sfidë për renovimin e objekteve ekzistuese, sipas Lah, është e pranishme edhe në Kosovë. Ai deklaroi se disa nga renovimet e fundit të bëra në objektet që mbi supe kanë më shumë vite, nuk janë renovime të mira.

Sipas tij, asnjë program nuk zgjatë sa zgjatë jetëgjatësia e një ndërteseje, për këtë arsye duhet të akomodohen programe të reja në ndërtesat ekzistuese.

“Problemi me renovimet është se po projektojmë më shumë e më shumë renovime, sigurisht duhet ta ruajmë strukturën sa më shumë që të jetë e mundur dhe t’i japim diçka të re, e kjo është gjithmonë një mundësi e mirë. Kam parë disa shembuj të renovimeve këtu të cilat nuk m’u kanë dukur renovime të mira. Disa nga objektet kanë humbur strukturën e tyre origjinale, disa nga ndërtesat moderniste dhe disa nga renovimet nuk janë bërë në mënyrën më fatlume, por këto janë mundësitë për të bërë diçka të re. Këto renovime  janë mundësi për të sjellë ndryshime sepse arkitektura gjithashtu duhet të ndryshojë. Mendoj se ne arkitektët duhet t’i konsiderojmë renovimet, edhe kur inkorporojmë elemente të reja. Kur të renovojmë duhet të mendojmë gjithashtu se si duhet të renovohet. Problemi me ndërtesat është se nëse qëndrojnë gabim për një kohë të gjatë, p.sh. më shumë se 100 vite, programi do të ndryshojë p.sh. pas 50 vitesh. Asnjë program nuk zgjatë aq sa zgjatë një ndërtesë. Ne duhet t’i krijojmë ato në një formë të re që akomodon programe të reja dhe tani kur i shohim disa nga objektet e vjetra mendojmë si t’i ripërdorim ato dhe ta ruajm kualitetetin e tyre”, ka deklaruar ai.

 Lan ka thënë se “ka disa plagë në indin e qytetit të Prishtinës . E këto plagë janë gjithmonë një mundësi e mirë për të sjellë arkitekturë të mirë”.

“Kam parë shumë vende të cilat janë një mundësi e mirë për të bërë projekte këtu. Ka disa plagë në indin e qytetit, e këto plagë janë gjithmonë një mundësi e mirë për arkitekturë. Qoftë nëse flasim për faqet e zbrazta apo për renovimet e ndërtesave”, ka deklaruar ai.

 Edhe pse ka shumë mundësi për të bërë projekte të reja, sipas tij, shumë hapësira moderne e inovative në Kosovë, si në shtetet e tjera përreth janë sjellë nga periudha e Jugosllavisë, siç përmend shembullin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”.

“Në kohë të Jugosllavisë është prodhuar diçka e re, janë krijuar hapësira moderne dhe puna e bërë në atë kohë është e mrekullueshme. Dje e pash Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe është një vepër e mahnitshme e arkitekturës. Natyrisht jemi goditur nga kriza financiare e Jugosllavisë, por tash është mirë të mësojmë nga vendet e tjera që e kanë pasur këtë problem dhe të bëjmë diçka të veçantë sërish”, ka thënë ai.

Foto e marr nga “Visit Prishtina”

Krahasimi i periudhës së Jugosllavisë me të tashmen vë në dritë dallime të shumta, por, sipas tij, inkorporimi i dallimeve është ajo që e bën interesante arkitekturën.

“Ka çdo herë dallime në arkitekturën e Jugosllavisë me arkitekturën që krijohet tash, por këto dallime janë ato që e bëjnë arkitekturën interesante sepse provohet të inkorporohen këto dallime. Ka dallime në mënyrën e jetesës, në mënyrën se si e përdoret hapësira publike. Këtu një gjë që e kam vënë re është se hapësirat publike përdoren deri në orët e vona. Sllovenia mendoj se ishte më me fat që nuk është prekur shumë nga historia e fundit. Por, pas çdo krize është një mundësi për të ndryshuar. Kjo është edhe një mundësi për të krijuar një arkitekturë të mirë. Sllovenia e ka pasur këtë mundësi ndoshta para 15 vitesh, në republika të tjera erdhi më vonë, por gjithmonë vije, kam përshtypjen se këtu është një mundësi e mirë për ta shtyer arkitekturën përpara”, u shpreh ai.

Një përdorim funksional i hapësirave publike, sipas tij është ai i sheshit qendror të Prishtinës.

Arkitekti slloven thotë se një gjë që i ka rënë në sy në këtë shesh është se ka shumë gjallëri, ka hapësira ku njerëzit mund ta kalojnë kohën si dhe punohet deri në orët e vona.

“Ndër hapësirat publike më ka befasuar sheshi për shkak se është dukur shumë bukur gjatë gjithë ditës. Edhe pse gjatë ditës ka qenë shumë nxehtë, ka pasur njerëz që kanë kaluar kohën këtu dhe i kanë përdorur hijet, edhe tani natën po e përdorin shumë këtë hapësirë për të qëndruar jashtë. Mendoj që ne si arkitektë çdo herë i inkurajojmë njerëzit të jetojnë jashtë. Madje edhe shtëpitë private duhet të kenë hapësira të gjelbëruara. Çdo projekt që e bëjmë duhet t’i kontriubuojë qytetit. Çdo herë i them sutudentëve të mi në fakultet se ekziston hapësira private, ajo publike dhe çdo herë është një hapësirë ‘semi publike’, që mund ta prezantosh dhe që nuk është hapësirë publike. Të paktën diçka që bëni për klientët dhe për shfrytëzuesit të jetë diçka që ju sjell sa më pranë qytetit. Asnjë arkitekturë nuk do të duhej të bëhet pa i sjellur diçka qytetit” theksoi ai.

 Edhe pse në Kosovë nuk i kishte rënë të qëndrojë shumë, e të njoftohet më detajisht me zhvillimet e reja në këtë fushë, atij i është tërhequr vëmendja nga gjërat e shumta që po ndodhin në arkitekturën në Kosovë, e që sipas tij, zhvillimet e shumta janë mundësi e mirë për të prezantuar një arkitekturë të mirë.

“Për shkak se nuk kam qëndruar në Kosovë shumë, nuk mund të flasë shumë për arkitekturën moderne. Por, kam lexuar dhe jam njoftuar më shumë për të nëpërmjet medieve. Ajo që kam vërejtur është se këtu po ndodhin shumë gjëra dhe kjo është çdo herë një mundësi e mirë për të prezantuar arkitekturën e mirë. Kur ndodhin shumë gjëra ka më shumë hapësirë për ta futur arkitekturën e mirë . Mendoj që tani është koha optimale për të prezantuar arkitekturën e mirë”, ka bërë të ditur ai./Ndertimi.info/ KultPlus.com

Të ngjajshme