Dhitë dhe këmbët e mbijetesës, puna e Doruntina Kastratit shpaloset në Prizren (FOTO)

5 Shtator, 2017 - 6:04 pm

Që nga lindja e deri në fund të ciklit jetësor pothuajse pareshtur lëvizim nga e njohura dhe e përjetuara drejt të panjohurës e të papërjetuarës. Nga ëndrrat tona në territore të reja si zona të shpresës, por edhe të frikës…

Një pjesë e konceptit artistik të veprës së re të Doruntina Kastratit vjen mes këtyre rreshtash. Një shëtitje e gjatë, një botë që rrotullohet, miliona këmbë që ecin poshtë e lartë, ekzistencë e herë mbijetesë.
Artistja Doruntina Kastrati mbi këtë inspirimin ka krijuar punën “Shëtitje e Gjatë”, një instalacion që është pjesë e Bienales së Artit në Prizren – Autostrada Biennale.

Artistja e lindur në këtë qytet, në vitin 1991, sjellë dhjetë skulptura me materiale organike, dhjetë dhia, ndërsa fokusi qëndron tek këmbët e tyre, si armë e mbijetesës.

“Pyetja që e shtroja ishte “Ç’është ky Long Walk?” që gjithçka rreth meje e bënte kuq: ujin, lulet, tokën, çdokënd, madje edhe ty dhe mua, që të ndihemi të frikësuar, të lemeritur?! Kuptoja se pyetja është universale, shtronte enigmën e ecejakeve të përditshme të çdo gjallese, çdo individi” tregon mes tjerash artistja.

“Që tre vite në kërkimet e mia nuk mjaftohem me vizione të sheshta por intrigohem dhe joshem me lëvizje dhe vizione plastike. Kjo lëvizje e imja e brendshme kushtëzohej edhe me shqetësimet ekzistenciale që i përjetoja duke përcjellë çdo ditë lajmet tragjike mbi refugjatët: kolona të gjata që gjarpëronin nga Orienti drejt Evropës si dhe anijet e stërmbushura me hallexhinj në kapërcim të Mesdheut… Kujtoja rrëfimet e ngjashme të të dëbuarve kosovarë, atë long walk – shëtitje të gjatë të brezit të prindërve të mi, më 1999…”, tregon artistja Kastrati.
Ajo është një prej artisteve që këtë vit po marrin pjesë në edicionin e parë të Autostrada Biennale – një Bienale e Artit që e ka kthyer Prizrenin në një tokë të fortë mbi të cilën qëndrojnë vepra arti, instalacione, video-instalacione, performanca, ekspozita, debate dhe artistë që sjellin veten e tyre në peizazh të Prizrenit, shkruan KultPlus.

Këmbët e dhisë, apo edhe të kopesë së dhive, mbijetojnë edhe në kushtet më ekstreme të ekzistencës, ndër shkëmbinjtë e pjerrtë me do shkurre të pakta me të cilat ushqehen, shkruan koncepti i punës artistike. Puna e Doruntinës mund të shihet rrugës për në Kalanë e Prizrenit.

Doruntina, në anën tjetër, nuk është emër krejt i ri në artin shqiptar. Ajo ka prezantuar punën e saj në edicionin e dymbëdhjetë të Ekspozitës Artistët e së Nesërmes (2014), në Galerinë Kombëtare të Kosovës, njëherit shpallet edhe fituesja e këtij edicioni. Në janar të vitit të kaluar, krijuesja e dhjetë dhive bëhet edhe fituesja e edicionit të parë të fondacionit “Hajde”, e udhëhequr nga artisti Petrit Halilaj. Në shkurt të këtij viti Doruntina prezanton edhe ekspozitën e saj të parë personale në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, të titulluar “Red Landscape/Peisazh i kuq” kuruar nga Vala Osmani. / KultPlus.com

Të ngjajshme