Dhjetë piktura nga Kosova do të ekspozohen në vende të ndryshme të botës

23 Tetor, 2018 - 7:18 pm

Alberina Haxhijaj

Artistja Ellen Frank pas projektit të saj “Cities of Peace” është rikthyer në Prishtinë për të zhvilluar projektin “The Honor City Gratitude”, pasues i projektit bazë, i cili u përurua sot, shkruan KultPlus.
‘Prishtina: Qyteti i Nderit dhe Mirënjohjes’ u titullua projekti i cili solli të punuara disa punime përsëri me elemente filigrani dhe me fletë ari përmes së cilave shpërfaqet historia dhe ana kulturore e kryeqytetit të Kosovës.

Në fazën e dytë të “Cities of Peace” Prishtina është qyteti i parë në të cilin po implementohet “Qyteti i Nderit”, që përmban gjithsej 10 punime. Pikturat e fazës së dytë do të ekspozohen në mbarë botën së bashku me pikturat e shteteve të tjera të “Cities of Peace”. Ato përveç prezantimit në Muzeun e Kosovës do të ekspozohen edhe në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Zyrën e Presidentit, Zyrën e MKRS-së, Zyrën e Ministrisë së Arsimit, MPJ.
Ellen Frank në përurimin e punimeve u shpreh shumë mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që morën pjesë në realizimin e pikturave duke përfshirë këtu studentët, fëmijët, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, artistët, edukatorët e të tjerët.

“Dua të ju them faleminderit që keni ardhur. Kjo ekspozitë nuk është për mua por është për ju pasi që është bërë posaçërisht nga ju dhe sonte jam e nderuar me punën e studentëve dhe të gjithë pjesëmarrësve që e kanë lënë zemrën e tyre në këtë punë, duke punuar me shumë dashuri”, u shpreh ajo.

Frank tregoi se në Kosovë ka shumë mirësi dhe dashuri, pra shumë dritë e cila vërehet menjëherë prandaj sipas saj është detyrë e institucioneve, e artistëve por edhe e të gjithë të tjerëve qe të arrijnë të kapin copëza të kësaj drite duke dhënë dhe bërë më të mirën.

Sipas Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, veprat e artit mund të flasin më shumë sesa fjalët e politikës.

“Kjo është një përmbushje e punës së mrekullueshme që është bërë ne kuadër të projektit që do ta rendisë Prishtinën në mesin e qyteteve të botës që bëjnë rrugën për ndërtimin e rrugës së paqes. Gjatë kësaj periudhe nga menaxhmenti i Muzeut jemi njoftuar vazhdimisht për zhvillimin e punëve dhe në cilësinë e Ministrisë së Kulturës dua të ju përgëzoj të gjithëve që keni qenë të angazhuar në projekt”, u shpreh ai.

Studentët të cilët morën pjesë në realizimin e këtyre punimeve u shpërblyen edhe nga “Global Institute for Arts and Leadership”. Ky projekt sjellë në jetë historinë dhe kulturën e qyteteve botërore që kanë vuajtur nga konfliktet dhe traumat, dhe po ashtu lartëson rëndësinë e qyteteve dhe synon të parandalojë shkatërrimin e arritjeve kulturore të njerëzimit./ KultPlus.com

Të ngjajshme