“Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, ekspozita që synon ndërrimin e mentalitetit

29 Tetor, 2020 - 2:20 pm

Nesër do të organizohet hapja e ekspozitës “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” nga Rrjeti i Grave të Kosovës përpara Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 10:00 e deri më 16:00, shkruan KultPlus.

Ekspozita do të sjell rrëfime reale të grave dhe burrave të cilët ishin viktimë të dhunës në familje, duke pasur synim vetëdijesimin e qytetarëve për ndalim të këtij fenomeni negativ të shoqërisë. Në të njëjtën kohë kjo ekspozitë do të njoftoj publikun e gjerë se në rast të përballjes me dhunë ku duhet të mbështeten dhe si të kërkojnë ndihmën institucionale.

Ekspozita vjen me një emërtim simbolik “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” me qëllim të ndërrimit të mentalitetit se ajo çfarë ndodh në një familje duhet të qëndroj përbrenda mureve të tyre. Në këtë formë synohet zëvendësimi i saj me ndihmë e mbrojtje ndaj çdo viktime, pa i lënë ato në neglizhencë.

Përgjatë kohës së pandemisë rastet e dhunës në familje janë rritur, ku në periudhën kohore mars-qershor në Kosovë janë raportuar rreth 40% më shumë raste në Policinë e Kosovës, ndërkaq ky numër mund të jetë më i madh edhe nga ata të cilët nuk e raportuan dhunuesin.

Kjo ekspozitë që është hapur edhe në vitin 2019 në Sheshin “Skënderbe”, përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women (Women#EVAW) dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA). / KultPlus.com

Të ngjajshme